Bledar Toçi, personi që vrau me armën e shërbimit Dritan Haxhollin, kishte një vit që ishte emëruar si shefi i sigurisë së paraburgimit në Durrës. Më herët, personi në fjalë ka shërbyer edhe në Gardën Republikës për gati shtatë vite, por si pasojë e problemeve disiplinore, ai ishte pezulluar disa herë nga detyra. Afërsisht një vit që ishte emëruar në kryer të sigurisë së burgjeve, 31-vjeçari Toçi, dyshohet se ka pasur ndërhyrje edhe nga Partia Socialiste e qytetit të Durrësit, për transferimin e tij në këtë detyrë. Bledar Toçi ishte skeduar nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, si person i papërshtatshëm dhe i dyshuar se ka lidhje me eksponentë të dyshimtë të botës së krimit. Por problemet kanë vazhduar edhe më pas, për Bledar Toçin. Polici i burgjeve, qëlloi me armën e shërbimit dhe la të vdekur në vend Dritan Haxhollin, në banesën e Mardisa Qatjas, në qytetin e Kavajës rreth 2 javë më parë. Mediat kanë mundur të sigurojë informacion nga grupi hetimor se, Toçi ka shërbyer 4 vite me trupshërbimin e Presidencës, gjatë viteve 2013-2017. Edhe pse nuk janë bërë publike, i riu ka pasur disa vërejtje për “largim nga puna” apo “pezullim të ushtrimit të detyrës në Gardën e Republikës“. Për këto arsye, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka kërkuar që Bledar Toçi të largohej nga trupshërbimi i Presidencës dhe të emërohet në një pozicion tjetër duke u ulur në detyrë. Ai u transferua te Njësia e Tretë e Gardës së Republikës, apo siç njihet ndryshe edhe si Sigurimi i Rrugë-kalimeve për personalitetet e larta. Në atë detyrë, Toçi ka pasur përsëri probleme me disiplinën, pasi shumë herë, nuk ishte gjetur në vendin e përcaktuar të punës, duke marrë “vërejte për largim nga detyra“. 31-vjeçari tashmë ka lënë ambientet e spitalit të Durrësit, dhe është dërguar në spitalin e burgut, aty ku do të qëndrojë deri në përmirësimin e plotë të shëndetit të tij. Toçi i cili mbeti edhe vetë i plagosur gjatë përplasjes me armë, ndodhet nën masën e sigurisë “arrest me burg” të dhënë nga gjykata e Kavajës 7 ditë më parë. Për Toçin, prokuroria ka ngritur dy akuza, atë të “vrasjes me dashje” si dhe “prodhim dhe trafikim të lëndëve narkotike”. I gjithë krimi u zhvillua në shtëpinë e Marsida Qatjas në Kavajë.