Policia e Shtetit ka njoftuar sot se si rezultat i grumbullimit të informacioneve nga strukturat hetimore të Policisë së Dibrës dhe shkëmbimit të tyre me Interpol Tirana dhe Interpol Paris është arrestuar në Francë një shtetas shqiptar në kërkim ndërkombëtar dhe është bërë ekstradimi i tij në Shqipëri.
Në një njoftim në rrjetet sociale, policia ka shtuar se është bërë ekzekutimi i vendimit penal për shtetasin në kërkim ndërkombëtar F. V., 27 vjeç, banues në fshatin Pollozhan, Dibër.
Sipas policisë, ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Dibër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për veprat penale ”Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në maj të vitit 2018, në qytetin e Peshkopisë, shtetasi F. V., në bashkëpunim me vëllanë e tij, ka qëlluar me armë zjarri automatik në drejtim të automjetit me të cilin udhëtonin shtetasit A. M. dhe A. A. Si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur rëndë shtetasi A. M.
/abc24.al/