Durrës- Një atentat i mbetur në tentativë ndodhi të shtunën në Shijak të Durrësit. Në shënjestër ishte Orlando Paplekaj,por që shpëtoi pa u prekur nga plumbat.
Por si Orlando Paplekaj, ashtu edhe babai i tij, kanë hedhur poshtë mundësinë që të kenë konflikte të hapura me persona të tjerë.
Hetimet e deritanishme të Policisë së Durrësit nuk kanë dhënë rezultat, duke bërë që grupi i hetimit të mendojë edhe pistën e një ngjarjeje të sajuar për arsye ende të paqarta nga 31-vjeçari.
Grupi i hetimit, që shkoi në vendin e ngjarjes për të kryer veprimet e para dhe për të grumbulluar prova materiale, tha se kamionçina nuk është prekur nga asnjë plumb, ndërkohë që në vendin e ngjarjes u gjetën tri gëzhoja arme automatik tip kallashnikov.
Policia ka rimarrë në pyetje Orlando Paplekajn, i cili ishte shënjestra e autorëve. Paplekaj ka dëshmuar në Polici se ka qenë duke shpërndarë bombola gazi dhe oksigjeni me kamionçinë, kur një mjet tip “Golf”, pasi e ka ndjekur atë për 10 metra, pasagjeri që ndodhej në automjet, ka nxjerrë armën nga një thes dhe ka qëlluar në drejtim të tij.
Ai thotë se nuk i njeh autorët dhe nuk ka dijeni pse i kanë bërë atentatin.
“Kam qenë duke shpërndarë bombola gazi me kamionçinë, kur një mjet tip ‘Golf’ më ka ndjekur rreth 10 metra dhe pastaj kanë qëlluar. Pasagjeri i mjetit tip ‘Golf’ e ka nxjerrë armën nga një thes dhe ka qëlluar. Nuk i njoh atentatorët, nuk e di pse kanë qëlluar”, mësohet të ketë thënë Paplekaj.
Orlando Paplekaj është me orgjinë nga Tropoja dhe jeton në Durrës prej 13 vitesh, së bashku me familjen, ndërsa babai i tij punon në Burgun e Durrësit. Ai kishte pak kohë që kishte nisur punën e re, atë të shpërndarjes së bombolave të oksigjenit për llogari të një kompanie, ndërsa më herët ka punuar për disa kohë edhe si roje në disa kompani.