Milani në sfidën e Reggio Emilas ndaj Sassuolos fitoi pikët dhe trajnerin Stefano Pioli, që firmosi kontratën e re dyvjeçare.
Por trajneri kuqezi duhet të bëjë llogaritë pa dy elementë të rëndësishëm për ndeshjet e mbetura të Serisë A. Romagnoli dhe Conti u khyen të dëmtuar nga transferta e Sassuolos e ç’është më e keqja e kanë mbyllur sezonin. Kapiteni ka pësuar një dëmtim në pulpë, që kërkon disa javë për t’u shëruar, por edhe mbrojtësi i majtë nuk do të mund të japë më kontribut në ndeshjet e mbetura për shkak të problemeve në gju.
Gjithsesi, në shtëpinë e Milanit janë të gëzuar që rezonanca magnetike nuk tregoi ndonjë dëmtim serioz të meniskut të Contit.
Në sfidën ndaj Atalantës, Milani do të jetë me mbrojtje të përgjysmuar, pasi përveç dy të lartpërmendurve do të mungojë për arsye skualifikimi Theo Hernandez. Për Piolin, zgjedhjet janë të detyruara: Calabria, Kjaer, Gabbia dhe Laxalt. Në mesfushë do të mungojë po për arsye pezullimi Bennacer.