Presidenti Meta ka ndarë një mesazh ngushëllimi në lidhje me ndarjen nga jeta të mjeshtrit të valleve, Besim Zekthi.
Meta shkruan në facebook se Zekthi i dha valles shqiptare të gjithë shkëlqimin e merituar duke u duartrokitur dhe vlerësuar nga shumë gjenerata.
Meta shton se arti shqiptar humbi sot një prej personaliteteve më të shquara, që me krijimtarinë e tij koreografike, e bëri edhe më të famshëm identitetin dhe kulturën kombëtare në mbarë botën.
Meta: Ndarja nga jeta e emblemës dhe solistit të pakrahasueshëm të Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore, Mjeshtrit të Madh dhe Nderit të Kombit, Besim Zekthi është thellësisht trishtuese. Falë talentit të spikatur dhe interpretimit të lartë e virtuoz si askush tjetër, ai i dha valles shqiptare, pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore shqiptare, të gjithë shkëlqimin e merituar, duke u duartrokitur dhe vlerësuar nga shumë gjenerata.
Arti shqiptar humbi sot një prej personaliteteve më të shquara, që me krijimtarinë e tij koreografike, e bëri edhe më të famshëm identitetin dhe kulturën kombëtare në mbarë botën. Edhe në periudhën më të errët të izolimit të vendit, virtuoziteti i Besim Zekthit dhe i artistëve si ai, arriti të lartësonte kulturën e popullit shqiptar dhe identitetit tonë evropian edhe në skenat më prestigjioze botërore, ku mori të gjithë vlerësimin e merituar.
Falë emocioneve të papërshkruara në interpretimin e valleve ai rriti krenarinë, optimizmin dhe vetëbesimin e kombit tonë për ditë më të mira, mbështetur fort në rrënjët e traditave dhe vlerave më të mira kulturore e artistike të trashëguara brez pas brezi. Përjetësisht krenarë e mirënjohës për kontributin e Besim Zekthit për promovimin denjësisht të pasurisë sonë kulturore kombëtare, duke i përçuar vlerat e saj tek brezat e artistëve të rinj dhe duke u shndërruar në një shembull të përjetshëm frymëzimi. Ngushëllimet më të përzemërta familjes Zekthi, të afërmve, bashkëpunëtorëve dhe mbarë komunitetit të artistëve. Vepra dhe kujtimi i Tij do të mbeten të paharruara!