Disa studime të reja dëshmojnë se njerëzit të cilët informohen kryesisht prej medias sociale sikurse Facebook-u dhe YouTube ka shumë më shumë të ngjarë t’u besojnë teorive të konspiracionit në lidhje me pandeminë e koronavirusit e për rrjedhojë t’i shkelin rregullat e vendosura për mos përhapjen e virusit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell sjell më shumë detaje nga Londra.
Gjatë javëve të fundit në Britani u është vënë zjarri dhjetra shtyllave të telefonisë 5G. Policia thotë se shumë prej sulmeve janë motivuar nga një besim i rremë se kjo teknologji është e lidhur me pandeminë e koronavirusit.
Disa studime të kryera nga kolegji “Kings” në Londër dhe kompania e sondazheve “Ipsos Mori” tregojnë një lidhje të fortë mes besimit në teori të tilla komploti dhe mbështetja tek media sociale si burim informacioni, ku përfshihet Facebook-u, YouTube, Twitter dhe WhatsApp. Këta njerëz priren të shmangin televizionin apo shtypin e shkruar. Në mesin e atyre njerëzve që besojnë se koronavirusi nuk ekziston fare, rreth 56 për qind e tyre cituan Facebook-un si burimine tyre kryesor për lajme.
“Ne zbuluam se njerëzit që kishin dalë jashtë apo kishin shkuar në punë pavarësisht se ato që dinin se kishin pasur simptoma të mundshme të koronavirusit ishin ata që kishin më shumë të ngjarë të informoheshin prej medias sociale”, thotë Daniel Allington, i kolegjit “Kings” në Londër.
Kjo gjë paraqet një rrezik shëndetësor për popullatën që duhet të adresohet thotë ligjvënësi britanik Damian Collins, i cili shqetësohet kryesisht mbi rolin që mund të luajë media sociale në çdo program të vaksinimit.
“Nëse do të jemi në kushtet kur kemi një vaksinë dhe ajo të jetë efektive, do të kemi nevojë që shumica dërrmuese e njerëzve të bien dakord që të vaksionohen. Është e rëndësishme që njerëzit të kenë besim. Nëse disa përhapin teori konspiracioni dhe gënjeshtra për vaksinën dhe përpiqen t’i bindin njerëzit që të mos vaksinohen, atëherë ekziston një rrezik serioz për shëndetin publik”, thotë Damian Collins, ligjvënës konservator.
Facebook, YouTube dhe Twitter thonë se kanë hequr me qindra mijëra video e postime që përmbajnë informacion dezinformues rreth COVID-19 me pasoja të dëmshme të menjëhershme. Por gjigantët e mediave sociale po përballen me një reagim të ashpër në shumë fronte.
Më shumë se 150 kompani, përfshirë Starbucks-in dhe Coca-Cola-n nuk po blejnë më reklama në Facebook për shkak të shqetësimeve të lidhura me informacionin e rremë dhe gjuhën e urrejtjes. Në të njëjtën kohë, Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar t’i zhveshë kompanitë e medias sociale nga imuniteti ligjor që lidhet me përmbajtjen e postuar nga përdoruesit, kjo pasi kompania Twitter etiketoi një nga postimet e tij me një njoftim për kontroll të fakteve.
“Nëse twitteri nuk do të ishte i respektuar dhe një djalë si ky do të ishte gjykatësi dhe juria, mendoj se duhej mbyllur, për sa i takon asaj që unë mendoj. Por do të më duhet të kaloj një proces ligjor për ta bërë një gjë të tillë”, thotë Presidenti Donald Trump.
Kompanitë e medias sociale thonë se ata i kanë fuqizuar sistemet për t’u përballur me dezinformatat. Por ato nuk janë transparente thotë zoti Allington.
“Këto sisteme duhet të jenë të hapura për auditim ndaj organeve demokratike e ligjore”, shton Daniel Allington.
Të dhënat se media sociale ka shërbyer për t’i dhënë më shumë zë të pavërtetave në lidhje me pandeminë e koronavirusit, ka të ngjarë të rrisin presionin ndaj këtyre kompanive për masa më të forta kundër informacionit të rremë./VOA