Pas disa ditësh pasigurie, janë zbuluar datat e Kupës së Italisë. Gjysmëfinalet, që rikthejnë futbollin e shkëlqyeshëm në Itali, në të vërtetë do të luhen më 12 dhe 13 qershor: Juventus-Milan dhe Napoli-Inter. Zikaltrit i pret një kalendar i vështirë. Në dallim nga Napoli, Milani dhe Juventusi, në fakt, Interi duhet të rikuperojë një ndeshje nga java e 25-të e Serie A, atë kundër Sampdoria. Për këtë arsye, atij do t’i duhet të luajë 4 ndeshje në 12 ditë, në rast se siguron edhe finalen e Kupës së Italisë më 17 qershor.
E thënë ndryshe, më 13 qershor do të luajë gjysmëfinalen e kthimit në “San Paolo”, më pas kthehet në fushë për Serie A. Më 21 qershor, në orën 21:45, Interi do të presë Sampdoria në “San Siro”, më pas do të përballet me Sassuolo. Edhe pa finalen e “Coppa Italia”, zikaltrit do të kenë shumë punë për të bërë.
Conte ka në dispozicion të gjithë grupin për rifillimin e kampionatit, por duke pasur parasysh rëndësinë e ndeshjeve të para, pas rifillimit, në mënyrë që të rivalizojë Juventusin dhe Lazio për kreun e renditjes, do të jetë e vështirë të bëhet një rotacion masiv.
Aktualisht, me një ndeshje më pak se Lazio dhe Juventus, Interi është në 9 pikë larg bardhezinjve (me përplasje të drejtpërdrejtë kundër), dhe 8 pikë larg bardhekaltërve. Zikaltrit do të fillojnë përsëri ndeshjet zyrtare javën tjetër, pastaj do të hidhen direkt në “Europa League”, në gusht.