Komiteti Ekzekutiv i Federatës Evropiane të futbollit, dje ka zhvilluar mbledhjen e radhës përmes videokonferencës.
Aty u morën disa vendime të rëndësishme në lidhje me formatin dhe kalendarin e garave të klubeve dhe të ekipeve kombëtare të UEFA-s.
Në këtë takim u vendos që ndeshjet gjysmëfinale të “play-off”-it në kuadër të Ligës së Kombeve për kualifikim në Evropian të zhvillohen në tetor.
Kosova ndeshjen e saj gjysmëfinale kundër Maqedonisë së Veriut do ta zhvillojë më 8 tetor, derisa në rast të kualifikimit në finale, atëherë më 12 nëntor do të luajë kundër fituesit të ndeshjes Gjeorgji-Bjellorusi.
UEFA vendosi që ndeshjet e edicionit të ri të Ligës së Kombeve 2020/21 të luhen në këto data
3,4,5 dhe 6,7,8 shtator, 10,11 dhe 13-14 tetor, 14-15 nëntor dhe 17-18 nëntor 2020, njofton Federata e Futbollit të Kosovës përcjell Klan Kosova.
Ndërkohë, sa i përket garave të klubeve për edicionin e ri, UEFA vendosi që faza parakualifikuese në Ligën e Kampionëve të zhvillohet më 8 e 11 gusht, derisa faza parakualifikuese në Europa Ligë më 20 gusht.