Reali i Madridit e mbylli llogarinë e trofeut të La Liga-s vetëm një ndeshje para fundit të kampionatit, për të nxjerrë të humbur Barcelonën. Por nga ana tjetër ky mund të ishte edhe një sinjal shprese që Rei Manaj të realizonte ëndrrën e madhe për debutimin me ekipin e parë.
Kjo pasi katalanasit do ta luajnë ndeshjen e fundit në datën 19 korrik ndaj Alaveshit vetëm si detyrim. Asgjë më shumë se kaq pasi janë dhënë verdiktet e fatit të sezonit në La Liga. E megjithatë sulmuesi shqiptar do ta ketë sërish të pamundur që të përmbushi dëshirën.
Lojtari kuqezi është gjendur në listën e publikuar nga Barcelona B gjatë ditës së sotme për ndeshjen e Play-Off që do të ketë ndaj Valladolid Promesas. Kjo ndeshje do të zhvillohet në datën 17 korrik dhe i heq mundësinë e Manajt për një grumbullim me ekipin e parë pasi trajneri i ekipit të dytë ka shumë më tepër nevojë për të. Sulmuesi shqiptar është grumbulluar dhe ulur në stolin e Barcelonës A në ndeshjen ndaj Getafes, ndërsa në kohët e fundit Setien nuk e ka thirrur as për stërvitje.