Paolo Maldini përsëri ka lënë të kuptohet se nuk do të jetë pjesë e të ardhmes së Milanit, për të cilin thotë se nuk mund të fitojë dot me lojtarë të rinj në moshë.
Muajt e fundit është përfolur bujshëm se ish-kapiteni legjendar i të kuqve do të largohet nga klubi, ku momentalisht bën punën e drejtorit sportiv.
Milani ka arritur marrëveshje me Ralf Rangnick, i cili do ta zëvendësojë Piolin në postin e trajnerit nga sezoni 2020/21.
Rangnick pritet të bisedojë me klubin për ta marrë edhe rolin e drejtorit sportiv, të cilin e mban Paolo Maldini.
“Jam i sigurt se kemi themele të fuqishme për të ardhmen e Milanit. Vendimet se kush do të jetë pjesë e të ardhmes së Milanit do të merren nga të tjerët dhe mbase edhe nga unë”, tha Maldini.
“Nuk ekziston një ekip që fiton vetëm me futbollistë të rinj. E kaluara ka rëndësi, ta veshësh atë fanellë është përgjegjësi dhe barrë e madhe, prandaj lojtarët e rinj që nuk janë mësuar me presionin e kanë të vështirë ta bartin atë histori”, shtoi ai.