Klubi Futbollistik “Llapi” edhe zyrtarisht ka filluar stërvitjet. Skuadra e Tahir Batatinës është paraqitur në “Zahir Pajaziti” për të vijuar me një plan konkret drejt realizimit të seancave stërvitore.
Megjithëse jo me organikën e plotë, Batatina ka nisur punën me grupe të futbollistëve, derisa ka marrë edhe një sër masash për të ruajtur distancën.
Në një prononcim, tekniku llapjan ka folur për ditën e parë të stërvitjeve.
“Po kemi filluar sot stërvitjet pas një kohe të gjatë. Jemi duke stërvitur në grupe dhe hapsira të caktuara duke ruajtur distancën e konsiderueshme. Është pak e vështirë të realizosh një seancë të zakonshme stërvitore sepse edhe vetë lojtarët po e kanë të vështirë, por po mundohemi të bëjmë maksimumin për të krijuar hapsirat dhe masat e nevojshme për t’u stërvitur”, deklaroi fillimisht Batatina.
Më pas tekniku llapjan ka folur edhe për kushtet higjienike dhe hapsirat në stadiumin “Zahir Pajaziti”.
“Po ne kemi marrë të gjitha masat e nevojshme. Kemi krijuar hapsirat e duhura për të mbajtur distancën. Kemi vënë në dispozicion tri dhomat e zhveshjeve për futbollistët për të krijuar kushte sa më të përshtatshme higjienike”, shtoi më pas Batatina.
Tekniku llapjan foli më pas në lidhje me rikthimin e futbollistëve të tij që ndodhen jashtë kufinjëve të Kosovës.
“Ne kemi tre futbollistë të cilët ndodhen jashtë Kosovës dhe do të jetë problem nëse nuk gjendet një zgjidhje për ta. Duhet bërë kontrolla të detajuara dhe emergjente për ta. Duhet të kenë tratman të veçantë, pasi që nëse futen në karantinë për 14 ditë ata do ta humbasin një pjesë të madhe të fazës përgatitore dhe ky është një problem jo vetëm për ne, por për çdo skuadër, pasi që shumë skuadra kanë futbollistë jashtë vendit”, deklaroi Batatina.
I pari i shefit të shtabit teknik te Llapi ka konfirmuar edhe takimin e klubeve me Federatën e Futbollit të Kosovës për të vendosur në lidhje me fatin e kampionatit.