Frank Lampard u kacafyt me Jurgen Kloppin gjatë humbjes së Chelseat 5:3 kundër Liverpoolit në Anfield të mërkurën mbrëma.
Trajneri i Chelseat, Frank Lampard, e ka paralajmëruar skuadrën e Liverpoolit të mos jetë, siç tha, shumë arrogante, pas një kacafytjeje me trajnerin e të kuqve, Jurgen Klopp, gjatë humbjes së skuadrës së vet 5:3 në Anfield.
Liverpooli nuk lejoi assesi që Chelsea t’ia prishë festën e prezantimit të trofeut të Premierligës me një ndeshje zbavitëse.
Atmosfera në Anfield u ngroh edhe më shumë kur Lampard u zu me Kloppin në vijën anësore, pas një ndërhyrjeje të Matteo Kovacicit ndaj Sadio Manes dhe golin mbresëlënës të Trent Alexander-Arnold nga gjuajtja e lirë.
Duke folur pas ndeshjes për këtë incident, Lampard tha për Sky Sports: “Për mua, Kovacic nuk bëri faull, dhe përveç kësaj shumë gjëra nuk shkuan mirë për ne. Por unë nuk kam probleme me Jurgen Kloppin. Mënyra sesi ai e ka menaxhuar ekipin e tij është fantastike.”
“I lumtë Liverpoolit, e ka fituar ligën, por mos të bëhet shumë arrogant. Kjo ishte poenta ime, por mori fund. Në ndeshje, nganjëherë emocionohesh dhe kështu ndodhi me mua”, shtoi ai.