Kompania “Alba Exotic Friut” e Eduart Dautit dyshohet se në mënyrë sistematike sillte kokainë nga Ekuatori në Portin e Durrësit, duke u shndërruar kështu në një ‘operator’ droge.
Në një hark kohor prej disa muajsh, mes bananeve të porositura nga kompania, kanë mbërritur në Portin e Durrësit, gjashtë ngarkesa me drogë, të llojit kokainë, duke e kthyer këtë aktivitet kriminal në një veprimtari pothuajse normale.
Eduart Dauti është pronar dhe ka 90% aksione të kompanisë, ndërsa 10% të aksioneve i ka vëllai i tij, Barjon Gumeni, i cili u arrestua në 13 korrik, pas kapjes së ngarkesës prej 11 kg e 650 gramë kokainë në kontejnerin e kompanisë.
Kur policia prangosi Gumenin, Eduart Dauti ishte arratisur.
Pas arrestimit të vëllait dhe shpalljes në kërkim, për të vazhduar punën në kompani, Eduart Dauti kishte emëruar si administrator disa persona, të cilët më pas u kapën nga Policia.
Sasia e fundit me kokainë në kontejnerët e kësaj kompanie, u kap më 12 tetor të vitit 2021, gjatë operacionit “Rada”.
Pesë rastet e tjera kur në kontejnerët me banane të “Alba Exotic Fruit” është kapur kokainë:
Më 7 shtator, u kapën 7.7 kg kokainë.
Më 13 korrik në Portin e Durrësit, kësaj kompanie iu sekuestruan 11 kg e 675 gramë kokainë, ndërsa 10 ditë më vonë, më 23 korrik u gjetën 6.5 kilogramë të tjera, të cilat ishin fshehur në kontejnerët e po të njëjtës kompani.
Më 29 korrik 2021 kompanisë iu gjetën dhe iu sekuestruan 7.25 kilogramë kokainë, gjatë operacionit “Rada”.
Kompania ‘Alba Exotic Fruit’ rezulton e përmendur edhe më parë në ‘historinë’ me trafik droge. Në vitin 2019, në kontejnerët e kësaj kompanie, në Pire të Greqisë u gjetën 137 kg kokainë që u zëvendësua me oriz me GPS nga autoritetet. Për kokainën e ngarkuar në kontejnerët e ‘Alba Exotic Fruit’ në 2019 u arrestuan Altin Myslihaka dhe Ardian Begaj dhe u shpall në kërkim Gentian Malindi.