Vështirë të gjesh një futbollist më vendimtar në La Liga sesa Lionel Messi. Kjo nuk ka vend për debat.
Mbi tavolinë janë të gjitha rekordet dhe arritjet që ka arritur kapiteni i Barcelonës dhe rëndësinë që ka në lojën e katalanasve. Historia e Barcelonës ndahet në dy pjesë, një përpara epokës së Leo Messit dhe një tjetër pas.
Nga 16 La Ligat që ai ka marrë pjesë, ka fituar 10 prej tyre me një përqindje (62.55%), të cilat vendosin në rrezik vendin e parë të mbretit të turneut: Genton. Ky i fundit ka fituar 12 kampionate nga 18 që ka luajtur (66.66%). Por, Mesi nuk ia del gjithmonë. Për momentin ka si objektiv të ruajë vendin e parë në kampionatin spanjoll, duke mbajtur 2 pikët avantazh ndaj Realit të Madridit pas 27 javëve të para. Do ta bëjë këtë duke qenë golashënuesi i kampionatit spanjoll me 19 gola, pavarësisht faktit që në 7 javët e para ka luajtur vetëm nga 2 pjesë loje.
Por, ka një fakt interesant, i cili këtë herë mund të ndihmojë Realin e Madridit. Pavarësisht se në dy sezone ai ka arritur të shënojë një thes me gola në 11 javët e fundit, titullin kampion nuk e kanë fituar katalanasit. Bëhet fjalë për dy kampionatet që ka fituar Reali i Madridit dhe Leo Messi ka arritur shifra të rëndësishme goleadore në 11 javët e fundit. Në sezonin 2011/2012 në “pushtimin” e Jose Mourinhos, numri 10 i Barcelonës e mbylli si kurrë më parë me 19 gola në 11 javët e fundit.
Ai arriti një shifër të frikshme në fund të sezonit me 50 gola, por Reali arriti të fitonte 9 ndeshje dhe 2 barazime duke iu kundërpërgjigjur me 14 golat e Cristiano Ronaldos. La Liga nuk është rikthyer në vitrinat e stadiumit “Bernabeu” që nga sezoni 2016/2017. Sërish Messi ndihmoi Barcelonën që të rezistonte deri në javën e fundit. Ai arriti të shënonte 14 gola në 11 javët e fundit në atë sezon duke arritur në 37 gola në total.
Golashënuesi i dytë ishte Luis Suarez me 29 gola, por titullin kampion e fituan madrilenët e Zinedine Zidane. Realit madje nuk iu desh asCristiano Ronaldo më i mirë për të ndalur Messin. Portugezi humbi 4 nga 11 ndeshjet e fundit dhe shënoi vetëm 6 gola, 5 në 3 javët e fundit.
VAZHDON MALLKIMI
Por, kjo histori nuk ka qenë vetëm kundër Realit të Madridit. Barcelona ka humbur vetëm 3 nga 11 kampionatet e fundit në Spanjë dhe njërin e ka fituar Atletico në sezonin 2013/2014. Si për rastësi bëhet fjalë për ecurinë e tretë më të mirë të Lionel Mesit në histori. Ai ka shënuar 11 gola në 11 javët e fundit dhe ka arritur shifrën e 28 të tillëve, 3 më pak sesa kryegolashënuesi i atij sezoni, Cristiano Ronaldo.
Të shtunën, nëse shqetësimet muskulore nuk do ta ndalin, Leo do të udhëheqë formacionin e Quique Setienit për ta rinisur me fitore kampionatin spanjoll. Kapiteni katalanas kërkon që këtë herë të shënojë më shumë dhe të fitojë kampionatin, ndryshe nga tri herët e mëparshme.