Ishte 8 korriku 2014. Brazili dhe Gjermania u ndeshën në një nga gjysmëfinalet më të pabesueshme të një Kupe Bote në histori. Nikoqirët donin me çdo kusht të siguronin finalen ndaj Argjentinës, megjithatë gjermanët nuk i lanë asgjë fatit, duke e shitur lëkurën shumë shtrenjtë.
Një i njohur i vjetër i Serie A, ish-lojtari i Udinese dhe Milanit, Oliver Bierhoff, ishte në tribunë atë mbrëmje dhe në një intervistë të publikuar pak ditë më parë për GOAL, ai tha:
“Gjatë ndeshjes 7-1 kundër Brazilit në gjysmëfinale ishim në tribunë dhe perceptuam dhimbjen e njerëzve dhe heshtjen e frikshme të stadiumit ‘Belo Horizonte’. Brenda vetes ne menduam: djema, ndaloni së shënuari. Jam krenar që e përfunduam atë lojë me përulësi”.
Rezultati që hyri në histori – Një ndeshje historike dhe këtë herë nuk po abuzojmë me termin. Rezultati 7-1 me të cilin Gjermania siguroi finalen e Botërorit 2014 do të ketë një vend në historinë e shenjtë të topit. Kurrë më përpara një gjysmëfinale nuk kishte përfunduar me një diferencë prej 6 golash, ndërsa këtë disfatë historike e pësoi pikërisht Brazili, vendi organizator, skuadra rekordmene që nuk humbiste një takim në shtëpi që prej vitit të largët 1975.
Humbja e Seleçao ishte diçka e pabesueshme, një ndeshje që për nga turpërimi dhe hidhërimi ka lënë pas edhe “Maracanazon” e famshme të 1950-s. E vetmja gjë normale e takimit ishin fytyrat e gjermanëve. Myler, Klose, Kros, Khedira dhe Shyrle festonin njësoj sikur kishin ndëshkuar një skuadër të miturish, sepse me ftohtësinë e tyre ata treguan edhe një herë se ndiheshin të fortë.
Rezultati nuk mund të ketë një shpjegim të vetëm. Gjermania ishte një skuadër fantastike, më e forta e parë në atë Botëror: këmbë të zgjuara, organizim dhe gjendje fizike ekzemplare. Nga ana tjetër, mungesa e dy yjeve të vetëm, Neymar dhe Tiago Silva, nxori në pah të gjitha defektet e një përfaqësueseje të fryrë vetëm me fjalë, që shihej si favorite.
Mbrojtje e turpshme në shumicën e kohës, një mesfushë pa busull dhe një sulm që pa Neymar as që diti ta tentonte kuadratin. Jo më kot Fred mbytej nga vërshëllimat sa herë që prekte topin. Dhe çfarë ishte më e keqja, pas tre golave të parë, ai u “zhduk” nga fusha e lojës.