Vetëm 22 përqind e personave që rezultojnë pozitivë me koronavirus në Britaninë e Madhe, në ditën që i nënshtrohen testimit, shfaqin simptoma, sipas Zyrës së Statistikave Kombëtare.
Ky fakt, sipas ekspertëve, kthen vëmendjen tek transmetimet asimptomatike, përhapjen e virusit nga njerëz që nuk janë në dijeni se janë bartës të tij. Stafi i kujdesit shëndetësor dhe social, duket më i predispozuar të rezultojë pozitiv.
Shifrat bazohen në testimet e personave të rastësishëm në shtëpi të rastësishme në Angli, njerëz që jetojnë në shtëpitë e kujdesit apo institucione të tjera nuk përfshihen në studim. Disa persona, që rezultonin pozitivë, pa simptoma, mund ti zhvillonin ato më vonë. Kryeministri britanik, një ditë më parë tha se përhapja nga asimptomatikët mund të ketë kontribuar në rritjen e rasteve të koronavirusit në shtëpitë e kujdesit.
Transmetimi asimptomatik ishte paralajmëruar edhe nga OBSH dhe këshilltarët shkencorë të qeverive, por ata nuk ishin në gjendje të përcaktonin se sa i madh ishte rreziku.
Kjo vjen ndërkohë që vdekjet nga të gjitha shkaqet në Britaninë e Madhe, ranë nën mesatare për të dytën javë radhazi. Mes fundit të marsit dhe qershorit, kishte 59 mijë vdekje më shumë se mesatarja 5-vjeçare.
Burimi: top-channel.tv