Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Bathore të Kamzës, në të cilën ka mbetur e vrarë Jetmira Hasani. 34-vjeçarja u qëllua dy herë me çifte në sy të fëmijës së saj nga ish-kunati i vet, Agron Tanushi. Jetmira ishte divorcuar nga bashkëshorti i saj dhe marrëdhënia me kunetërit ishte ftohur prej kohësh. Sipas hetimeve krimi ndodhi për konflikte pronësie.
Ish-punëtorja e fasonerisë, këmbëngulte që të rrinte në derën ku ishte futur nuse dhe po rriste vajzën e saj. Nga ana tjetër, Agroni ishte një 31-vjeçar i papunë dhe i martuar.
E gjithë familja ishtë me origjinë nga Kuksi dhe për katër vite nuk vendosën paqe mes tyre. Konfliktet e shumta detyruan 34-vjeçaren të kërkonte urdhër mbrojtjeje i cili iu vendos në 15 korrik të këtij viti. Vetëm dy muaj më pas, mbrëmjen e djeshme ndodhi tragjedia.
Jetmira Hasani nxorri rrobat në rrugë për tu larguar. Policia i shkoi në ndihmë por gruaja nuk u tërhoq nga vendimi i saj për të ikur.
Më pas Agron Tanushi e qëlloi ish-kunatën duke e lënë të vdekur para portës së shtëpisë sapo policia kishte ikur. Pas 14-orë ndjekje, uniformat blu arrestuan Tanushin, ai ishte larguar menjëherë pas krimit dhe në vendin e ngjarjes kishte lënë armën. Arrestimi i tij u bë në Lushnjë, ku kishte vajtur te e motra për tu fshehur. Nga ana tjetër policia është në mbrojtje të anëtarëve të familjes së tij, pasi mund të ndodhë një hakmarrje nga ana e familjarëve të viktimës.