Nuk kishte munguar për dy vite e gjysmë në as edhe një ndeshje zyrtare të futbollit të Kosovës. Madje, falë paraqitjeve të tij të mira zuri vend edhe në formacionin më të mirë në vend për vitin 2019.
Fjala është për mbrojtësin e krahut të djathtë, Përparim Islami, i cili në duelin e së mërkurës në kuadër të gjysmëfinales së DigitAlb Kupës ndaj Ballkanit pësoi një lëndim të rëndë dhe u detyrua ta braktis fushën e lojës.
Me të përfunduar ndeshja Islami u dërgua në infermieri, me ç’rast pas radiografisë u konstatua se kishte këputur ligamentet e këmbës së djathtë dhe ato të meniskusit.
Mbrojtësi i Feronikelit ka vizituar edhe këtë të enjte (4 qershor) infermierinë, derisa rezonanca magnetike ka konfirmuar lëndimin dhe tashmë pritet që t’ futet briskut për t’u operuar, mëson Gazetasheshi.
Islami pritet që të operohet të shtunën më 6 qershor, ndërkohë që pritet të mungojë për një kohë të gjatë.
Mungesa e Islamit do të jetë një hendikep i madh për skuadrën e Afrim Tovërlanit, pasi që mbrojtësi llapjan llogaritet si njëri ndër lojtarët më të vlefshëm të ekipit.
Pas formës fantastike të kaluar në edicionin e fundit, 27 vjeçari ishte ofertuar nga shumë skuadra të njohura në vend dhe jashtë vendit.
Lëndimi i Islamit nuk ishte i vetëm në dy ndeshjet e para të gjysmëfinaleve të DigitAlb Kupës. Bashkëlojtari i tij te Feronikeli, Harmon Gbowea u lëndua gjithashtu, ndërkohë që fushën para kohës u detyrua ta lëshonte edhe Arbios Thaçi i Drenicës në duel me Prishtinën.