Dita e sotme (30 qershor) ka përkuar me hartimin e një drafti sa i përket reflektimit të ndryshimeve në reformën zgjedhore.
Në një intervistë për Ora News, bashkëkryetari i Partisë Socialiste për reformën zgjedhore Damian Gjiknuri, tha se nesër drafti do të shkojë zyrtarisht në sekretarinë e Kuvendit.
Damian Gjiknuri: ”Drafti sot përfundoi dhe zyrtarisht nesër do të ndodhet në sekretarinë e Kuvendit. Fatkeqësisht kjo përkoi me skadimin e afatit të komisionit për reformën zgjedhore, megjithatë për mendimin tim, kjo nuk përbën asnjë problem sepse drafti është i dakordësuar. Nëse Kuvendi mund të vendosë që të zgjasë mandatin e komisionit të reformës zgjedhore, ai mund të rikthehet dhe të shqyrtohet aty, ose në të kundërt mund të marrë rrugën e shqyrtimit në komisionin e ligjeve, për të kaluar në seancë plenare. Mendoj që nuk përbën problem ky element nga ana proceduriale.”
Sipas Gjiknurit, ky kod i ri nuk ka shumë gjëra ndryshe, dhe theksoi faktin se ishte një marrëveshje politike, dhe në këtë kod u adresuan ato që ai i quajti frikërat dhe kërkesat e Partisë Demokratike.
Damian Gjiknuri: ”Në fakt ky kod i ri nuk është se ka shumë gjëra ndryshe. Kuptohet ka disa gjëra ndryshe që reflektojnë më shumë shqetësime të dala nga disa raporte të ODIHR-ut, por më shumë nga shqetësimet që i ka ngritur opozita shqiptare. Ky kod ishte një marrëveshje politike për të qetësuar ose për të zbutur polaritetin politik, retorikën mbi 2 vjeçare rreth zgjedhjeve, dhe ku në këtë kod u adresuan të gjithë frikërat dhe kërkesat e Partisë Demokratike siç i kërkonte ajo kryesisht. Mund të them që është një nga kodet e para që përgjithësisht zëre se është shkruar nga vetë Partia Demokratike, me qëllimin që mazhoranca kërkonte që të hiqte çdo lloj alibie, çdo lloj pretendimie nisur nga ajo çfarë ka artikuluar Partia Demokratike lidhur me zgjedhjet.”