Një person ka rënë në prangat e policisë, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, pasi kishin instaluar kamera dhe granata gati për shpërthim, në parcelën ku kishin kultivuar bimë narkotike.
Ata janë të dyshuar si autorë edhe të një rasti tjetër të kultivimit të bimëve narkotike, në vitin 2020.
Në vijim të punës për zbardhjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve, efektivët e Komisariatit të Policisë Tropojë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, organizuan punën për identifikimin e autorëve të kultivimit të bimëve narkotike, në pyllin e fshatit Kovaç.
Pas punës hetimore, në bashkëpunim me Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë, u bë i mundur identifikimi i autorëve. Bazuar në provat e siguruara, më datë 10.04.2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë ka caktuar ndaj këtyre shtetasve, masën e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje”.