Gjykata e Kurbinit ka vendosur masën e sigurisë, arrest me burg 40-ditor për Alfred Prodanin, drejtorin e Ujesëjellësit të qytetit. Kjo masë iu jep kohë autoriteteve përkatëse që brenda kësaj kohe të kompletojnë procedurat për ekstradimin e tij drejt Spanjës, ku kërkohet për vepra të ndryshme, kryesisht vjdhje me dhunë.
Arrestimi – Tri ditë më parë, policia shqiptare e vuri në pranga drejtorin e Ujësjellës-Kanalizimeve të Laçit për llogari të organeve ligjzbatuese spanjolle. Alfred Prodani kërkohej nga drejtësia iberike.
Shkaku lidhej edhe me futbollin, konkretisht me Karim Benzema. Është vërtetuar nga hetimet se shtëpia e yllit francez të Real Madridit në kryeqytetin spanjoll qenka grabitur pikërisht nga Prodani.
Ky i fundit kishte ngjitur shkallët në hierarkinë e institucioneve lokale të Kurbinit. Kërkimi ndërkombëtar për 41-vjeçarin ishte shpallur nga Gjykata Coruna (Spanjë) në vitin 2013, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Ja njoftimi i policisë së Lezhës, që kreu edhe arrestimin, me këtë rast: “Në kuadër të operacionit policor të koduar “Coruna”, forcat policore të Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me Interpol Tirana, kapën dhe arrestuan në qytetin e Laçit, me qëllim ekstradimi drejt Spanjës, shtetasin A. P., 41 vjeç, banues në Kurbin.
Ky shtetas, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Coruna/Spanjë, në vitin 2013, ka lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës”.