Kampioni i botës në peshat e rënda të boksit, Anthony Joshua, e ka përshkruar racizmin si një pandemi që ka dalë jashtë kontrollit, gjatë një fjalimi para protestuesve në marshin “Black Lives Matter”.
30-vjeçari, që po e mbarte një mbajtëse në gju si masë parandaluese, e lexoi një poemë dhe foli para qindra njerëzve në qytetin e vet të lindjes, Watford, në Britani të Madhe.
“Virusi është shpallur pandemi”, tha Joshua.
“Ka dalë jashtë kontrollit. Dhe nuk po flas për Covid-19. Virusi për të cilin po flas unë quhet racizëm”, theksoi ai.
Kampioni i botës në IBF, WBA dhe WBO shtoi: “Ne qëndrojmë të bashkuar kundër një virusi i cili ka luajtur rol shumë të madh në marrjen e jetëve, jetëve të të rinjve, të moshuarve, të pasurve dhe të varfërve; një virus që nuk ndien keqardhje dhe që shpërndahet gjithandej”.
Në marsh, Joshua eci me paterica dhe e përdori edhe një skuter, për shkak të një përdredhje të vogël në gjurin e majtë gjatë ushtrimeve këtë javë.
“Do ta kontrollojnë edhe një herë doktorët, por nuk ka vend për shqetësim tani për tani”, ka thënë një zëdhënës i tij.
“Paterica është masë parandaluese, me këshillën e doktorëve”, shtoi ai.
Kjo protestë ishte vetëm njëra prej shumë protestave jo vetëm në SHBA dhe Angli, por në shumë vende të botës, pas vrasjes së George Floyd.
Floyd, 46 vjeç, vdiq gjatë arrestimit më 25 maj në Minneapolis. Katër policët e përfshirë në arrestimin e tij akuzohen për vdekjen e tij.