Jashanica i hap sfidë Kukësit

0
Gjigandi

Skënderbeu e rinisi aty ku e la. Fitorja që morën përballë Partizanit në mes të kryeqytetit, i ngjiti korçarët në vendin e tretë. Por forma që treguan i ka befasuar edhe vetë lojtarët. Një lloj frike e kishin postpandemisë, por duket se puna që ka bërë Ilir Daja ka rezultuar efikase. Është Bajram Jashanica që zbulon “sekretin” e asaj ndeshjeje, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”.

A e kishte menduar Jashanica se do të rikthehet me një fitore kaq të madhe pas shkëputjes së stërgjatë?
Të them të drejtën, nuk e kishim menduar. Ishte një kohë e gjatë pa stërvitje dhe futboll dhe fillimisht na u duk se nuk do ta rimerrnim kurrë formën në të cilën ishim para se të izoloheshim prej pandemisë. Që në ditën e parë që u grumbulluam në “Tropikal Resort”, nisëm të punonim shumë fort. Çdo seancë kemi treguar se ne mund t’ia dalim dhe mund të jemi sërish ata që kemi qenë në këtë periudhë. Ndaj, nuk është fort rastësi.

Sa e vështirë ishte ta mposhtnit Partizanin?
Nëse mund të flasim për vështirësi, pa dyshim që e tillë ishte ndeshja me Partizanin. Nuk e dinim se në çfarë gjendjeje do të ishim ne, por as kundërshtari. E megjithatë, treguam grintë dhe dolëm me tri pikë.

U dukët sikur ishit më në formë se kundërshtari, ka ndonjë “sekret”?
Për fat të mirë po. Kemi punuar fort gjatë këtyre dy javëve. Dhe kjo mendoj se është për meritë të stafit teknik dhe trajnerit Ilir Daja, që na ka dhënë një program specifik. Falë tij, patëm mundësitë që të rriteshim kaq shpejt. Ishim më lart se ata dhe bëmë më mirë në fushë. Kjo na shpërbleu të gjithëve me tri pikë.

Tani jeni vetëm tri pikë larg Kukësit. Vendi i dytë është i arritshëm?
Viti 2020 ka qenë i mbarë për ne dhe shpresoj që të mbyllet kështu. Jemi vetëm tri pikë larg dhe duhet të tentojmë që të ngjitemi sa më lart. Cilësitë nuk na mungojnë, të gjitha i kemi në grup.

Union Contact

Luani në Vlorë përballë Flamurtarit, që ju ka ndalur në fazën e dytë. Tani është koha për “revansh”?
Ne kemi pasur probleme me ekipet e vogla në letër dhe kemi lënë shumë pikë karshi tyre. Tani duhet të jemi më pragmatistë. Të mos i shohim nga renditja ekipet, por të marrim maksimumin çdo ndeshje. Besoj se nuk do të përsërisim gabimet e të shkuarës dhe do të kthehemi me tri pikë nga Vlora.

Kupa është një tjetër trofe në lojë. Jeni gati ta bëni tuajin?
Objektivin e kemi të përcaktuar qartë. Mbylljen e kampionatit në tri vendet e para dhe të shkojmë sa më larg në Kupë. Ne do të mundohemi që të shkojmë deri në fund të këtij komenticioni. Jemi gati për gjithçka.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu