Nëpërmjet një deklarate të premten policia izraelite njoftoi se ka arrestuar 55 persona që protestonin kundër kryeministrit Benjamin Netanjahu. Policia tha se ata kishin “shkaktuar trazira e prishje të qetësisë publike”. “Jeni kukulla të pushtetit”, thërriste një grua ndërsa po arrestohej nga policia. Ndërkohë mijëra protestues rivalë u mblodhën të enjten jashtë rezidencës së Kryeministrit Benjamin Netanyahu e cila është rrethuar nga forca të shumta policie. Punonjësit e policisë i ndanë ata me barrikada metalike.
Pamje filmike të siguruara nga policia izraelite tregonin turma të mëdha në rrugë dhe një kamion policie tek i spërkaste me ujë me qëllimin për t’i shpërndarë. Demonstruesit anti-Netanjahut në Jeruzalem akuzojnë kryeministrin për korrupsion. Ata protestojnë kundër një projektligji të miratuar së fundmi që autorizon qeverinë të marrë masa emergjente për të luftuar koronavirus, pa kërkuar më parë miratimin e parlamentit. Fillimisht Izraeli e vendosi nën kontroll situatën e krijuar nga COVID-19, por infeksionet janë gjallëruar përsëri me rreth 2 mijë raste të reja në ditë. Ndërkohë, papunësia në vend është rritur në mbi 20 për qind.
Protestat kundër kryeministrit Netanjahu
Ndërsa Izraeli përballet me valën e dytë të pandemisë COVID-19, protestat kundër qeverisë për keqmeanxhim të krizës po forcohen. Dhjetëra mijëra të rinj izraelitë dolën në rrugë, shumica për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Benjamin Netanjahu. Protestuesit janë kryesisht të rinj të zemëruar. Shumica fajësojnë kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu për situatën e krijuar nga pandemia dhe kriza ekonomike.
“Kemi një kryeministër të korruptuar të cilin duam ta dërgojmë në shtëpi…”, thotë një protestues (Adi). Është e qartë se kriza e vetme këtu është ajo politike. Menaxhimi bëhet për interesa personale dhe kjo po e vret shtetin. Po na fundos me vete”, thotë ky protestues. Së bashku me kundërshtarët politikë të kryeministrit Netanjahu, protestuesit ngritën zërin për qytetarët më të prekur nga kriza ekonomike.
“Edhe nëse nuk ka donacione, të paktën tu mundësohen kredi si në shtetet e Evropës. Ata nuk mund të marrin as kredi. Diçka duhet bërë”, thotë Meno Dufris. Zoti Netanjahu vazhdimisht ka premtuar zgjatje të ndihmave për të papunët, kompensim për bizneset dhe donacione stimuluese. Por shumica nuk kanë përfituar dhe nuk besojnë në premtimet e kryeministrit. Ata e akuzojnë atë se shqetësohet vetëm për procesin gjyqësor ndaj tij.
“Kemi një kryeministër që mendon vetëm për një gjë, se si të shmangë akuzat ndaj tij. Kjo e bën të pamundur të analizohen gabimet. Ai merr vendime dhe shumica, duke përfshirë edhe ata që e kanë votuar, nuk besojnë asnjë fjalë të tij. Pra kjo është krizë udhëheqjeje. Ai duhet të dorëhiqet ose të largohet”, thotë Shihma Shwartzman e Lëvizjes “Black Flag”. Analistët thonë se pandemia humbi shpresën e rinisë për të ardhmen. Shkalla e papunësisë në Izrael është mbi 21 për qind ndërsa mes të rinjve afër 30 për qind.
“Kriza nga koronavirusi shkaktoi humbjen e mundësive të punësimit dhe shumë plane të të rinjve, qofshin ato për udhëtime, studime apo punësim për të fituar para u avulluan në pak kohë dhe kjo shkaktoi zemërim”, thotë Roby Nathanson I Qendrës për Politika Ekonomike. Në shumë raste protestat kanë përfunduar me përleshje të dhunshme me policinë. Por protestuesit thonë se nuk largohen nga rrugët derisa të shohin ndryshime që lehtësojnë krizën e pandemisë./VOA
Burimi: top-channel.tv