Vazhdojnë përplasjet mes agjentëve federalë dhe protestuesve në Portland

0
Gjigandi

Tensionet shpërthyen përsëri të premten në Portland të Oregonit, ku prania dhe veprimet e oficerëve federalë po ngrenë shqetësime për një krizë të mundshme kushtetuese, me argumentin se agjentët janë dislokuar pa miratimin e organeve lokale. Përplasjet e fundit, vijnë pas një vendimi të një gjykatësi për një urdhër të përkohshëm frenimi për agjentët, në përgjgje të një padie të ngritur nga dega e Unionit Amerikan të Lirive Civile në Oregon.

Në konfrontimin e fundit, protestuesit u përplasën me agjentët që mbanin uniforma dhe që ishin vendosur pas një gardhi prej çeliku pranë një gjykate federale, duke lëshuar gaz lotsjellës. Protestuesit thanë gjithashtu se ishin goditur me predha dhe lazër ndërsa agjentët i detyronin të largoheshin nga ndërtesa, pasi e deklaruan një grumbullim të paligjshëm.
Incidenti erdhi një ditë pasi gjykatësi Michael Simon nxorri një urdhër që ndalonte agjentët federalë nga përdorimi i forcës apo arrestimi i gazetarëve dhe vëshguesve ligjorë në protestat kundër racizmit sistematik dhe ajo që ata e shohin si brutalitet të policisë. Vendimi erdhi një ditë pasi kryebashkiaku i Portlandit Ted Wheeler ishte mes një grupi protestuesish ndaj të cilëve u hodh gaz lotjsellës kur agjentët federalë shpërndanë një protestë para gjykatës.
Sipas Amendamentit të 10-të të Kushtetutës amerikane, përdorimi i policisë është një kompetencë e shtetit, jo e qeverisë federale. “Kompetencat që nuk i janë deleguar Shteteve të Bashkuara nga kushtetuta apo që nuk u ndalohen shteteve prej saj, u rezervohen shteteve respektive, ose popullit”, thotë Amendamenti. Kryebashkiaku Wheeler ka thënë se do që agjentët të largohen, duke e quajtur praninë e tyre si një shkelje të autoritetit federal dhe nxitje të dhunës.
Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë, Michael Horowitz njoftoi të enjten hapjen e një hetimi për përdorimin e forcës nga agjentët federalë në Portland dhe kryeqytetin Uashington, DC ku u përdor gaz lotsjellës për të zbrazur zonën pranë Shtëpisë së Bardhë muajin e kaluar, para se Presidenti Donald Trump të kapërcente rrugën për të folur para një kishe. Po të enjten, Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Joseph Cuffari njoftoi për hapjen e një hetimi për akuzat për sjellje të tepruar të oficerëve të këtij departamenti në Portland. Demonstruesit kanë marshuar çdo ditë në Portland, pas vdekjes më 25 maj të afrikano-amerikanit George Floyd, ndërsa ishte në duart e policisë në Mineapolis. Disa protesta janë shoqëruar me vandalizma dhe krim.
Operacioni “Legjenda”
Agjentët federalë po dërgohen edhe në Çikago të Ilinoit, pas një vale dhune mes bandash që ka shkaktuar vdekjen e të paktën 100 vetëve në javët e fundit. Po ashtu agjentë po dërgohen në Albuquerque të Nju Meksikos dhe Kansas City të Mizurit. Dislokimi në këto qytete është pjesë e një operacioni që është quajtur “Legjenda”, për të luftuar krimin e dhunshëm. Kryebashkiakët e këtyre tre qyteteve dhe 12 të tjerëve u kanë dërguar një letër autoriteteve federale, duke bërë thirrje për tërheqjen e menjëherëshme të forcave dhe që të “bien dakord që të mos bëjnë më dislokime të njëanshme në qytetet amerikane”.
Zoti Trump e ka vënë theksin tek “ligji dhe rendi” ndërsa përballet me ish-nënpresidentin dhe kandidatin demokrat Joe Biden, për zgjedhjet e nëntorit. David Chipman, një këshilltar i lartë politikash në Qendrën Ligjore Giffords për Parandalimin e Dhunës nga Armët i tha Zërit të Amerikës se se kur ai ishte agjent për Zyrën kundër Alkoolit, Duhanit, Armëve dhe Eksplozivëve ishte “krenar që punonte me udhëheqësit lokale kur kishin nevojë për ndihmë”. Zoti Chipman tha se veprimet e fundit të zotit Trump në Portland dhe deklaratat e tij për problemet në qytetet e tjera “tregojnë qartë se ai mendon se organet federale të rendit janë gurët e tij të shahut për të gllabëruar pushtet politik”./VOA

Burimi: top-channel.tv

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu