Prodhuesit e drogës në vend kanë ndryshuar taktikë, nga “shtëpitë e barit” që janë përhapur në masë, ato u janë rikthyer në serrave për kultivimin e lëndëve narkotike.
10 sera për kultivimin e kanabisit janë zbuluar ditën e djeshme në fshatin Shkozë-Bardhë në Thumanë, në të cilat ishin kultivuar 925 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa. Policia njoftoi ka arrestuar në flagrancë Qemal Ferhatin, 68-vjeç si dhe ka shpallur në kërkim djalin e tij Ardit Ferhati 36-vjeç, pasi në truallin e banesës së tyre u konstatuan 10 sera me kanabis. Gjithashtu është arrestuar shtetasi Klisman Lika, i cili është kapur në flagrancë duke punuar në ambientet e serës.
“Në kuadër të kontrollit të territorit, bazuar dhe në informacionet e grumbulluara në rrugë operative nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, për tentativën e kultivimit të bimëve narkotike në sera, në territorin e Njësisë Administrative Thumanë, specialistët e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Durrës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Thumana”.
Në kuadër të këtij operacioni bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: K. L., 32 vjeç, banues në Gjorm, Kurbin dhe Q. F., 68 vjeç, banues në fshatin Shkozë-Bardhë, Thumanë; Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. F., 36 vjeç, banues në fshatin Shkozë-Bardhë, Thumanë (djali i shtetasit Q. F.)”
, njoftoi Policia ditën e djeshme.
Policia: U gjetën edhe fara kanabisi
Ndërkohë gjatë kontrollit në banesën e tyre u gjet edhe një qese plastmasi me fara të dyshuara si ato cannabis sativa, si dhe u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike e cila shërbente për kultivimin e lëndës narkotike.
“Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në vendin e quajtur Shkozë-Bardhë, Njësia Administrative Thumanë, në truallin pas banesës së shtetasit Q. F., kanë konstatuar 10 sera në të cilat ishin të kultivuara 925 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa. Gjithashtu, gjatë kontrollit në këtë banesë u gjet edhe një qese plastmasi me fara të dyshuara si ato cannabis sativa, si dhe u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike
“, njoftoi Policia e Shtetit në lidhje me zbulimin e 10 serave me kanabis në zonën e Thumanës.
Kthehu bodrumin në “shtëpi bari”, arrestohet 29-vjeçari
Një 29-vjeçar është arrestuar ditën e djeshme pasi ishte shpallur në kërkim për kultivimin e kanabis në zonën e Nivicës në Sarandë. 29-vjeçari Klodian Omeri dhe Klajdi Miziri kishin kthyer një bodrum në pronësi të tyre në shtëpi bari të kultivimit të kanabisit përmes llambave elektrike.
Kapja e Omerit e çon në 3 numrin e të arrestuarve për këtë kultivim kanabisi, ku më herët ishin arrestuar edhe dy elektricistët Vasfi Sali dhe Gazi Hoxhaj të cilët “kishin mbyllur” sytë dhe nuk kishin denoncuar rastin, ndërsa në kërkim vijon të jetë Klajdi Miziri. 29-vjeçarit, banues në lagjen “Gjashtë” i është vendosur masa e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.