Irena Beqiraj del kundër Ramës për Amnistinë Fiskale: Do ‘grumbullohen’ para nga aktivitete të paligjshme

0
26
Gjigandi

“Një zgjidhje afatshkurtër që shkakton probleme afatgjata”. Kështu e cilëson projektligjin e Amnistisë Fiskale, ish-zv.ministrja e Financave, Irena Beqiraj.

Përvoja e vendeve që e kanë aplikuar, sipas saj, ka treguar se janë arkëtuar më pak të ardhura nga çfarë parashikohej, ndërsa edhe më të larta kanë qenë kostot të tilla si rrënimi i moralit të taksës apo rritja e padrejtësisë në trajtimin fiskal. Pavarësisht kundërshtive të hapura nga shoqatat e biznesit, ekspertët, por dhe institucionet ndërkombëtare, qeveria duket e vendosur për ta çuar deri në fund këtë nismë me argumentin se injekton para për ekonominë dhe u shërben emigrantëve.

Por Beqiraj thotë se në kushtet aktuale, etje për para ka vetëm buxheti i shtetit.

“Pagesat e kripura të PPP-ve, borxhi i lartë, pandemia, por edhe situata stagflacioniste, e cila po godet jo vetëm ekonominë shqiptare, por edhe atë botërore, e ka gjetur qeverinë të papërgatitur dhe me pak mundësi për manovër. Në këto kushte, ky sektor ka nevojë për më shumë para në arkë dhe amnistia është një zgjidhje e shpejtë dhe e shkurtër për ta mbushur atë”.

Përkundrejt një detyrimi tatimor modest, që varjon nga 5 deri në 10 për qind dhe pa penalitete qytetarët mund të deklarojnë deri në 2 milionë euro pasuri. Por, si u përgjigjet kjo shifër “kursimeve të emigrantëve”? Për eksperten e ekonomisë, emigrantët nuk janë përfituesit kryesorë të kësaj amnistie.

“Ka arsye të forta për të besuar se shqiptarët kanë para në parajsat fiskale. Përtej fakteve tanimë të ditura që një pjesë e mirë e PPP-ve financohen nga kapitale shqiptare të emigruara në parajsa fiskale, shkaqet më kryesore që paracaktojnë se sa para rezidentët e një vendi të caktuar grumbullojnë në parajsat fiskale plotësohen katërcipërisht nga vendi ynë. Pra, më tepër se amnisti për emigrantët, është amnisti për paratë e emigruara në parajsa fiskale apo paratë e siguruara nga aktivitete të paligjshme”./panorama

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu