Dy të rinj kanë rënë në prangat e policisë së Kavajës për vjedhje, njëri prej tyre me precedent të theksuar kriminal, në fushën e armëmbjatjes pa leje, të vjedhjes, mashtrimit dhe kanosjes.
“U arrestuan B. D, 33 vjeç, banues në Thumanë Krujë dhe S. V., 28 vjec, banues në Tiranë”.
Arrestimi i tyre erdhi pasi kërcënuan me armë administratorin e lokalit për të mos kallëzuar krimin dhe vodhën nën kërcënimin e armës celularët e katër klientëve në lokal, kapen e vihen në pranga dy autorët e dyshuar.
Por pas hetimeve, policia ka arritur të zbardhë edhe disa vjedhje të tjera të ndodhura më parë nga këta shtetas.
Të dy shtetasit e arrestuar janë të dyshuar për një sërë vjedhjesh të ndodhura në Kavajë, Tiranë, Krujë, Kukës e Pukë.
“Këta shtetas, në një lokal në Golem, kanë vjedhur televizorë e sende të tjera, dhe pas disa ditësh, kanë shkuar përsëri në lokal dhe kanë kanosur me armë zjarri administratorin e lokalit, për të mos kallëzuar. Gjithashtu nën kërcënimin e armës, me qëllim që klientët të mos tregonin e të mos njoftonin Policinë, u kanë marrë 4 klientëve, aparatet celulare dhe janë larguar. Po këta shtetas kanë vjedhur në një banesë në Kavajë, si dhe kanë tjetërsuar duke i çuar për pjesë këmbimi në Kukës, disa automjete të marra me qera. Njëkohësisht, dyshohet se kanë kryer një sërë vjedhjesh në disa qytete të vendit, ku vijon puna hetimore nga strukturat e Policisë në disa qytete të vendit, për dokumentimin e tyre”
njofton policia.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri kallashnikov, sasi municioni luftarak dhe një shumë e konsiderueshme parash, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.
“Gjatë operacionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, gjetën të fshehur në Thumanë të Krujës, armën e zjarrit kallshikov, një sasi municioni luftarak si dhe një shumë parash 700.000 lekë të rinj, të dyshuara të përfituara nga shitja e sendeve të vjedhura dhe makinave të marra me qera, duke i tjertësuar në pjesë këmbimi”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja” dhe “Kanosja për të mos kallëzuar”, kryer në bashkëpunim, për veprime të mëtejshme procedurale.