Andrés Iniesta, aktualisht pjesë e Vissel Kobe, dha një intervistë në mediat e klubit që nga karantinimi në shtëpinë e tij në Japoni. Ai tha se është mirë si fizikisht, ashtu edhe mendërisht, dhe se nuk sheh tërheqje të menjëhershme nga futbolli i luajtur:
”Do të ndodhë një ditë, por të jem i sinqertë, e shoh ende larg. Ndihem mjaft i motivuar dhe kjo më jep forcën ta zgjas karrierën. Ajo, për të cilën jam krejt i qartë, është se do të dëshiroja të mbetem i lidhur me botën e sportit edhe pasi t’i “var këpucët në gozhdë”. Futbolli është e vetmja gjë që kam bërë në jetën time, ndaj do të doja të mbetesha në këtë botë të bukur”.
Iniesta shpjegoi se aktualisht është në shtëpi, duke ndjekur udhëzimet e autoriteteve dhe shijuar ditët pranë familjes. Ai shpreson të kthehet në rutinën e mëparshme dhe të shijojë ato gjëra në fushën e blertë, që normalisht nuk mund t’i bëjë në këtë kohë pandemie:
“Situata në Japoni është e qetë në thonjëza. Dy javë më parë, mbyllja në shtëpi e popullatës u forcua. Ne prisnim udhëzime për të parë se çfarë mund të bëjmë. Mbaj kontakte me kolegët e mi, me disa në mënyrë të sigurt, në çdo situatë”.
Ai ndodhet në Japoni, por zemrën e ka lënë te Barcelona: “Ka qenë e vështirë për mua t’i ndjek ndeshjet e Barçës, për shkak të diferencës së orës këtu me atje, por jam i informuar për gjithçka. Duhet të presim e të shohim se çfarë është në gjendje të bëjë pas pandemisë, nëse rifillojnë garat ku merr pjesë”.
Iniesta foli për dokumentarin e tij: “Kushdo që paraqitet në dokumentar është i rëndësishëm, që nga kolegët deri tek anëtarët e familjes. Iu jam shumë mirënjohës të gjithëve. Edhe atyre që nuk mundën të flisnin në të. Do të ishte e padrejtë të theksohej njëri mbi të gjithë”.