Shqipëria organizoi sot një ceremoni shtetërore për t’i dhënë lamtumirën ish-presidentit të vendit, Bujar Nishani, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë në Gjermani.
Në ceremoni e organizuar në mjediset e Presidencës në Tiranë morën pjesë familjarë, zyrtarë të lartë, politikanë dhe personalitete të shquara nga Shqipëria, Kosova dhe më gjerë, si dhe qytetar të Tiranës, të cilët shprehën homazhet e tyre në nderim të ish-presidentit.
I pari që zhvilloi homazhet sot ishte Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i shoqëruar nga vajza e tij, Bora Meta.
Gjatë fjalës së tij, Meta u shpreh se Nishani punoi me përkushtim në mbrojtje të Kushtetutës.
“Ai e shihte politikën si art dhe besonte se ishte instrument për të sjellë ndryshime. Ai besonte te demokracia dhe shteti ligjor. Presidentit Nishani i peshonte fjalë. Ai çmohej për thjeshtësinë në komunikimin publik. Do mbahet mend për qetësinë, forcën e argumentit. Si kryetar i shtetit ai punoi me përkushtim të radhë në mbrojtje të Kushtetutës. Ai punoi për të forcuar frymën e tolerancës dhe bashkëjetesës fetare në vend. Ai besoi deri në fund te demokracia”, tha Meta.
Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kreu homazhe për ish-presidentin Bujar Nishani.
Osmani në një postim në Facebook shkruan se në emër të qytetarëve të Kosovës u përkulën para arkëmortit të Presidentit, shtetarit të paepur, njeriut të urtë e dinjitar, qytetarit të ndershëm e atdhetarit të përkushtuar.
Në homazhe morën pjesë edhe ish-presidentët e Shqipërisë, Alfred Moisiu , Bamir Topi edhe ish-presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.
“Mund të them që ka qenë president i mirë i përkushtuar për detyrën dhe për të zbatuar kushtetutën. Më vjen keq për këtë humbje të parakohshme për një njeri që ka kontribuar për vendin tonë”, tha Moisiu në një prononcim për mediet.
Teksa Topi u shpreh për mediet se, “sigurisht ishte një ditë e trishtuar për më tepër kur largohet në një moshë kaq të re duke i lënë një hidhërim të thellë familjes. E kam njohur rreth 22 vite më parë. La mbrapa një vepër shumë komplekse. I lehtë i qoftë dheu”.
Ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha për mediet se, “është një humbje e madhe për shtetin shqiptar. Ka ditur që të prezantoj Shqipërinë në më të mirën e mundshme. Ne nuk kemi qenë në të njëjtën kohë president të vendit, por e ndjej veten me privilegj që kam njohur një njeri kaq fisnik. Një humbje që do të mbahet mend me pjesën e qetësisë që ai mori me vete. I qoftë i lehtë dheu shqiptar”.
Gjithashtu dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka marrë pjesë në ceremoninë shtetërore të lamtumirës në nderim të ish-Presidentit Nishani.Berisha ishte i shoqëruar nga zonja e tij, Liri Berisha.
Në homazhe mori pjesë edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe ish-kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Nishani vuante nga pneumonia bilaterale me insuficience respiratore, si pasojë e komplikacioneve të shkaktuara nga COVID-19.
Në sallën “Skënderbeu” në Presidencë dhe dje u zhvilluan homazhe në nderim të ish-presidentit Bujar Nishani.
Këshilli i Ministrave e shpalli ditën e sotme ditë zie kombëtare, në nderim të ish-presidentit. Gjithashtu në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike është ulur sot flamuri kombëtar në gjysmështizë.
Pas orës 12.00 arkemorti me trupin e Presidentit Nishani, u shoqërua nga kortezhi mortor deri të Ura e Lanës, pastaj u nisë drejt varrezave të Sharrës, ku u zhvillua ceremonia e varrimit.
Ceremonia shtetërore u transmetua drejtëpërdrejt në faqen zyrtare në Facebook të Presidentit Ilir Meta.
/abc24.al/