BRAZIL – Një tmerr ka përjetuar mbrojtësi i Tottenham, Emerson Royal. Ai i ka shpëtuar një grabitje dhe shkëmbi zjarri me armë në Brazil, në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Sipas ‘O Liberal’, braziliani 23-vjeçar sapo kishte dalë nga një klub nate në vendlindjen e tij në Sao Paulo rreth orës 3 të mëngjesit dhe po bënte foto me një oficer policie jashtë detyrës, kur një individ i drejtoi armën dhe urdhëroi të dorëzojë sendet e tij personale.
Sipas një rrëfimi fillestar, oficeri ka nxjerrë armën dhe ka hapur zjarr ndaj hajdutit, ku Royal për fat, arriti të shpëtonte i padëmtuar nga plumbat. Në drejtim të agresorit janë bërë 29 të shtëna, njëra prej të cilave e goditi në shpinë. Sipas portalit ‘UOL’, krimineli u dërgua në një spital aty pranë dhe u operua për t’i hequr plumbin.
Mbrojtësi i Tottenham ka shkuar në komisariatin lokal me babanë dhe menaxherin për të denoncuar ngjarjen. Royal kishte dalë për të festuar me familjen dhe miqtë e tij në klubin e natës ‘New Trips’, i vendosur në Paulista Avenue, një nga rrugët më të gjata që kalon në qendër të qytetit São Paulo.
Babai i futbollistit ka treguar historinë:
“Isha duke festuar dhe ndërsa po largohesha, ndodhi e gjithë kjo, ishte shumë keq, – tha ai për ‘Globo Esporte’. – Ishte një skenë vërtet tmerri. Nuk ia uroj askujt”. Më pas ai vijon me dinamikën e fakteve: “Ai shkoi, si zakonisht, me Royal në makinë, por jashtë deshën ta grabisin me armë, në momentin kur krimineli u shpërqendrua, një oficer i policisë filloi të shkëmbente të shtëna me agresorin. Ishin edhe rreth pesë-gjashtë veta, të gjithë ia mbathën duke iu shmangur situates.”