Policia e Korçës ka arrestuar një 56-vjeçar pasi në gjendje të dehur ka përplasur me makinë 4 automjete të tjera të parkurara. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në lagjen 18 të qytetit, duke i shkaktuar mjeteve dëme materiale. “U arrestua K.T, 56 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr.18 në Korçë, ky shtetas duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin tip “Toyota”, ka përplasur katër automjete të parkuara në anë të rrugës, tip “Bmë”, tip “Fiat”, tip “Audi” dhe tip “Benz”, duke iu shkaktuar dëme materiale dhe më pas është larguar nga vendngjarja”, thuhet në njoftimin e policisë. Po ashtu lidhur me këtë ngjarje policia thotë se ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë edhe ndaj djalit 56-vjeçarit, shtetasit J.T, 30 vjeç, pasi ky i fundit ka dhënë deklaratë të rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore, duke deklaruar se kur ka ndodhur aksidenti, drejtues i mjetit ka qenë ai dhe jo babai i tij shtetasi K.T. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.