Parlamenti i Holandës nis diskutimet lidhur me çeljen e negociatave të anëtarësimit të Bashkimit Europian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ligjvënësit e këtij shteti kanë thirrur në interpelancë ministrin e Jashtëm, Stef Blok. Holanda prej kohësh është shprehur skeptike lidhur me negociatat, kryesisht për Shqipërinë, pasi konsideron se nuk ka bërë progres në reformat e kërkuara. “Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe në përmirësimin e sundimit të ligjit”, shprehej Blok disa ditë më parë. Megjithatë qeveria ia ka lënë në dorë parlamentit që të vendosë për Shqipërinë. Ai do të vendosë nëse kryeministri Mark Rutte do të vendosë ajo jo veton për negociatat me Shqipërinë javën tjetër në Këshillin Europian. Në një opinion të gazetës holandeze Friesch Dagblad me autor Koos van Houdt bëhen disa akuza të forta ndaj Shqipërisë. “Jo më kot Shqipëria është zgjedhur si vendi i parë në Ballkan për të hapur një zyrë të Europolit. Por jo më kot është negociuar për gjashtë vite për këtë. Gjashtë vite, kur duhej të ishte një emërim i thjeshtë në vetvete. Shqipëria ka tashmë një zyrë kombëtare të Europolit në Hagë. Por ajo mund të funksionojë siç duhet nëse ka mbështetje dhe organizim nga vendi vetë për të punuar mirë kundër krimit. Por nëse kriminelët janë në drejtim në një vend, sigurisht është e vështirë që të japësh leje për të lënë policinë që të afrohet. Shqipëria, me fjalë të tjera, është në udhëkryq. Kjo është e dukshme tek beteja e vështirë kundër korrupsionit brenda gjyqësorit. Në fund të fundit, vetëm një gjyqtar i besueshëm mbeti në institucionin më të lartë gjyqësor në vend. Problemi është i dukshëm edhe nga mënyra e vështirë për zhvillimin e zgjedhjeve, edhe së fundmi. Kohët e fundit u provua e vështirë që të zgjidhen këshillat e rinj bashkiakë”.