Bayern Munich mund ta fitojë Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Gjermanisë, për ta përfunduar sezonin me tripletë, thotë ish-presidenti i bavarezëve, Uli Hoeness.
Gjigantët gjermanë fituan titullin e tetë radhazi të Bundesligës në fillim të këtij muaji. Ata e ngritën trofeun pas një fitoreje 4-0 kundër Ëolfsburgut, në fundjavë.
Tashmë duhet të luajnë finalen e DFB-Pokal kundër Bayer Leverkusen të shtunën, si dhe janë në garë për Championsin. Hoeness beson se Bayerni aktual mund ta përsërisë suksesin e trefishtë të sezonit 2012-2013.
“Nëse skuadra jonë mund ta ruajë këtë formë, kemi një shans të mirë për të fituar gjithçka. Shpresoj që skuadra ta ruajë ritmin,” tha Hoeness për Blickpunkt Sport.
Bayerni u bë skuadra e shtatë evropiane që fiton tripletë në sezonin 2012-2013, duke mposhtur Borussia Dortmundin në finalen e Championsit, Stuttgartin në finalen e DFB-Pokal, pasi e kishte fituar tashmë titullin në Bundesligë me një epërsi prej 25 pikësh nga ndjekësi më i afërt.
Këtë herë, Bayerni e fitoi titullin e ligës me 13 pikë përpara Dortmundit, teksa shënoi një total prej 100 golash të jashtëzakonshëm në rrugën e trofeut të tillë të 30-të në elitën e futbollit gjerman.
Hoeness vlerësoi skuadrën bavareze për këtë golaverazh kaq mbresëlënës dhe iu bëri thirrje rivalëve të tjerë të Bundesligës që të përmirësohen, në mënyrë që Bayerni të mos e fitojë titullin e nëntë radhazi sezonin e ardhshëm.
“Është vërtet e veçantë të shënosh 100 gola në një sezon të Bundesligës. Për mua është një arritje e bujshme. Ekipet e tjera duhet të punojnë më shumë tani. Askush nuk duhet të presë që Bayerni të punojë vetëm gjysmë dite për ta bërë Bundesligën më emocionuese”.