Trajneri aktual i Golden State Warriors, Steve Kerr, kishte shijuar suksese mbresëlënëse edhe gjatë karrierës së tij si basketbollist, para se të bëhej trajner. Megjithatë, para se t’i arrinte këto suksese, ai kishte përjetuar disa momente të vështira, të cilat u theksuan në dokumentarin “The Last Dance”.
Për shumë tifozë të sportit, dokumentari “The Last Dance” e theksoi madhështinë e Michael Jordanit, duke e treguar mentalitetin e tij si fitues dhe triumfin e tij në gjashtë finalet e NBA nga po aq të zhvilluara, shkruan DailyMail.
Megjithatë, persona si Steve Kerr e kishin parë të gjithë historinë teksa zhvillohej si dëshmitarë të parë, pasi që Kerr ishte lojtar i Chicago Bulls nga 1996 më 1998. Më vonë, ai i shfrytëzoi mësimet që i kishte marrë nga dinastia e viteve të 90-ta e Bullsave për ta krijuar një ekip tjetër të tillë vetë si trajner.
Përderisa fokusi i dokumentarit dhjetë-episodesh ishte te Jordani, ishte historia e Kerr – po aq tragjike sa frymëzuese – që u bëri përshtypje shumë shikuesve që s’kishin qenë të njohur me dinastinë e Bullave.
Kerr nuk ishte një lojtar që do të bëhej Hall of Famer, ai ishte më i shkurtë sesa shumica e bashkëlojtarëve dhe kundërshtarëve të tij dhe nuk ishte asnjëherë lojtari më i mirë apo i dyti më i miri në një skuadër gjatë 15 vjetëve të tij në NBA.
Megjithatë, atij iu shtuan dukshëm tifozët pas dokumentarit. Kjo pasi që ai vlerësohet si një lojtar te i cili të tjerët mund ta gjejnë veten. Ai e kishte pranuar statusin e tij si lojtar periferik, ishte mësuar të fitojë duke i pasur vetëm nga pesë apo gjashtë gjuajtje për ndeshje dhe, siç tha vetë në dokumentar, fitoi më shumë sesa që ishte menduar.
Këtë lloj modestie Kerr e ka mbajtur edhe gjatë karrierës së tij si trajner. Ai mbetet lojtari i parë i NBA që ka fituar trofeun “Larry O’Brien” si kampion i NBA në katër sezone radhazi – pasi që pas tre titujve me Bullsat nën drejtimin e Phil Jackson, ai fitoi me San Antonio Spurs nën drejtimin e Gregg Popovich.
Përderisa Kerr respektohet për karrierën e tij të suksesshme, dokumentari e ka theksuar se atij nuk i ka ardhur lehtë asgjë në jetë. Babai i tij Malcolm ishte vrarë brutalisht në Liban, përderisa po shërbente si president i Universitetit Amerikan në Bejrut, kur Kerr ishte vetëm 19-vjeçar.
Kerr kishte lindur në Bejrut dhe e kishte kaluar një pjesë të fëmijërisë së tij atje. Për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, Bejruti kishte qenë një vend i rrezikshëm për qytetasit amerikanë dhe në episodin e nëntë, Kerr, nën emocione, flet se si e kishte marrë vesh lajmin se dy burra të armatosur, që ishin pjesë e grupit të quajtur Xhihadistët Islamikë, ia kishin vrarë babanë duke e gjuajtur me plumb në kokë më 18 janar të vitit 1984.
Kerr tregoi se nuk parapëlqen të flasë për këtë ngjarje, mirëpo zbuloi se ai e kishte marrë vesh lajmin nga një telefonatë në gjysmë të natës, përderisa ishte në kolegj në Arizona të SHBA-së.
Pas atij rasti tragjik, Kerr ishte fokusuar në karrierën e tij në basketboll dhe ishte përkushtuar ndaj synimit për të hyrë në NBA, përkundër që s’kishte interesim të madh për të, pasi që babai i tij ishte tifoz i madh i basketbollit.
Edhe pse Kerr nuk kishte marrë vëmendje nga klubet e NBA, ai nuk ishte dorëzuar. Ky karakter e bëri Kerrin edhe më interesant për shikuesit, pasi që ai sillej mirë, mirëpo e kërkonte të njëjtën gjë nga bashkëlojtarët e tij.
Gjatë një seance stërvitore, Michael Jordani e kishte sulmuar me fjalë dhe Kerr ia kishte kthyer duke e goditur në gjoks. Jordani i ishte përgjigjur atij duke e grushtuar në fytyrë, gjë për të cilën Jordani më vonë i kishte kërkuar falje. Megjithatë, Kerr e vlerëson atë moment si gjënë më të mirë që i kishte ndodhur në karrierë, pasi që nga ai moment ai e kishte fituar besimin e Jordanit.
Ky besim doli në pah veçanërisht në ndeshjen e finales kundër Utah Jazz në vitin 1997. Kur ndeshja ishte e barabartë dhe kishin mbetur vetëm edhe 28 sekonda lojë, Jordani vendosi t’ia besojë Kerrit gjuajtjen vendimtare, përkundër që zakonisht i merrte vetë këto goditje, pasi që e dinte se lojtarët e Jazz do të tentonin ta mbronin atë me dy lojtarë dhe Kerr do të mbeste i hapur.
Edhe në momentet e tilla, zakonisht përgjegjësinë e merrte Scottie Pippen, i cili njihej si lojtari i dytë më i mirë në skuadër, mirëpo në atë moment Jordani iu kthye Kerr-it dhe i kishte thënë: “Ji gati, ky është momenti yt”.
“Do të jem gati, do të jem gati”, i ishte përgjigjur Kerr, dukshëm i emocionuar.
Ajo që ndodhi më pas e definoi karrierën e Kerr. Pippen e gjeti Jordanin nga rivënia anësore, siç pritej. Jordanit i dolën në mbrojtje Bryon Russell dhe John Stockton, i cili supozohej ta mbronte Kerrin. Kjo bëri që Jordan t’ia pasojë topin Kerrit, i cili shënoi me lehtësi. Toni Kukoc i shënoi pikët e fundit të ndeshjes, mirëpo gjuajtja e Kerr ia kishte fituar Bullsave titullin e pestë të NBA. Ai ishte heroi i natës.
Pikërisht këtë veprim të Jordanit – gatishmërinë për t’u besuar bashkëlojtarëve që janë në pozita më të mira, edhe nëse ti vlerësohesh si më i miri – Kerr e ka përdorur si shembull për lojtarët e tij në Golden State Warrios.
“Unë dua që ti t’u besosh menjëherë bashkëlojtarëve tu. Ajo që ti po e bën është që po shkon deri te koshi dhe pastaj po tenton të pasosh. Unë dua që ti t’i besosh bashkëlojtarit të parë që e sheh”, i kishte thënë Kerr Kevin Durantit, i cili vlerësohej si më i miri gjatë kohës sa ishte te Warriors.
Megjithatë, nuk janë vetëm anekdotat me Jordanin dhe fjalimet në ekip me lojtarë yje që e kanë bërë Kerrin njërin ndër pesë trajnerët më të mirë në histori të NBA. Ajo që ai e ka bërë në basketboll mund të krahasohet me revolucionin e Pep Guardiolës në futboll.
Kerr, që me ekipin e tij ka bërë revolucion duke e rritur rëndësinë e trepikëshit në NBA, e ka ndërtuar një dinasti me Golden State Warriors. Ai e bëri Steph Curryn MVP-në e parë unanim në histori të NBA në vitin 2016. Mirëpo përveç lojtarëve si Curry, Klay Thompson, Kevin Durant e Draymond Green, ai ka arritur t’u japë role kyçe në skuadër edhe lojtarëve si Kevin Looney, të cilin e siguroi në draft të vitit 2015.
Sukseset e Kerr si trajner janë po aq mbresëlënëse sa ato si lojtar. Me Warriors ai shkoi pesë vjet radhazi në finale të NBA, duke i fituar tri prej tyre – fillimisht duke humbur në vitin 2016 kundër Cleveland Cavaliers të LeBron James dhe vitin e kaluar kundër Toronto Raptors me një skuadër të gjymtuar shkaku i lëndimeve të Durant dhe Thompson.