Drejtori sportiv i Juventusit, Fabio Paratici ka thënë se te klubi shpresojnë që sulmuesi argjentinas Gonzalo Higuain të qëndrojë përtej këtij stinori.
Higuain është larguar për në Argjentinë, ndërsa raportohet se nuk është i gatshëm të kthehet, pasi është i shqetësuar për shëndetin.
Higuain 32-vjeçar ka kontratë me Juventusin deri në verën e vitit 2021.
“Kur u largua, ai ishte shumë i shqetësuar në përgjithësi, për shkaqe personale. Ai është njeri shumë i ndjeshëm. Ai po gëzon një stinor të jashtëzakonshëm, kështu që shpresojmë që ai të mund të vazhdojë me ne për vitin që i ka mbetur në kontratë”, ka thënë Paratici për “Sky Sport italia”.
Ai ka treguar se klubi është duke negociuar për vazhdimin e kontratave me Gianluigi Buffonin, Giorgio Chiellinin e Paulo Dybalan, ndërsa nuk ka mohuar raportimet për shkëmbimin e Miralem Pjanicit me Arthur Melon e Barcelonës.
“Sa i përket stories së shkëmbimit Pjanic – Arthur, klubet e mëdha gjithmonë bisedojnë mes vete, jo vetëm për shkëmbime, por edhe për gjëra të përgjithshme. Bisedimet për vazhdimin e kontratave me Buffonin dhe Chiellinin janë pranë përfundimit, ndërsa po bisedohet edhe me Dybalan. Kjo situatë ndërpreu bisedimet”, ka thënë drejtori sportiv.