Pas operacionit të kryer të Dallas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Eden Hazard duket se ka lënë pas dëmtimin e rëndë, sepse siç raporton e përditshmja spanjolle “AS”, ka nisur seancat stërvitore.
Natyrisht bëhet fjalë për një start gradual, ku fillimisht ka kryer vetëm seanca vrapimi dhe së fundi ka nisur edhe kontaktet me topin, për të provuar një riaftësim të plotë në javët në vijim.
Ky është një lajm vërtetë i mirë për trajnerin Zinedine Zidane, pasi do të ketë shumë nevojë për belgun, nëse do të vendoset për vijimin e sezonit, duke qenë se do të duhet të luhet në një kalendar shumë të ngjeshur.
Vetë fizioterapisti i fantazistit belg u shpreh mjaft optimist për ecurinë e rikuperimit të Hazard dhe deklaroi se shumë shpejt mund të kryejë seanca të plota stërvitore.
La Liga është një tjetër kampionat që pritet të rinisë dhe tekniku Zidane tashmë do të ketë një alternative me shumë në repartin e avancuar. Sidoqoftë, kujdesi i stafit mjekësore është i lartë pasi nuk duan që të rrezikojnë.