Haxhimusa: Një shekull me sportin, prof. Arsim Fehmiu

0
Haxhimusa: Një shekull me sportin, prof. Arsim Fehmiu
Gjigandi

Një personalitet i rrallë dhe që kurrë nuk kurseu për rininë, për sportin dhe shtetin e Kosovës, është prof. Arsim Fehmiu.

Prof. Fehmiu kontriboi në periudha të ndryshme, sidomos në rrafshin sportiv.

Një burrë që nuk u ndal kurrë dhe as sot, kur rrumbullakon 90 vjetorin e lindjes, është aktiv dhe i qan zemra që të shoh sportin gjithnjë e më mirë!

Një burrë që sakrifikoi shumë edhe në vitet e 90-ta, ka qenë anëtar i Federatës së Futbollit të Kosovës, në vitet më të rënda dhe duke iu kundërvu pushtuesit serb.

Një profesionist e trim që nuk e kishte shoqin!

RonaTyra

Bashkim Haxhimusa, një veprimtar sportiv dhe përgjegjës për sport në komunën e Ferizajt, ka përshkruar prof. Fehimu, si arkitekt i sportit të Kosovës.

” Një shekull me sportin, prof. Arsim Fehmiu! Ku mbeten Prof. Halil Turku, Prof Bardhyl Zajmi dhe Prof. Arsim Fehmiu të cilët e themeluan Fakultetin e Edukimit fizik dhe Sportit në korrik të vitit 1979!

Sot në ditëlindjen e Prof. Arsim Fehmiu po iu japim një biografi të shkurtë për vlerat e mëdha që i dha sportit të Kosovës.

Prof. Arsim Fehmiu u lind më 3 qershor 1932 në Sarajevë. Shkollën fillore e filloi në Sarajevë, vazhdoi në Shkodër e Prizren, ku e kreu klasën e pestë. Pas shkollës fillore vazhdoi mësimet në gjimnazin real të Prizrenit. Në vitin 1947 i kreu katër klasë gjimnazi dhe semimaturën. Shkollën normale e kreu në Gjakovë në vitin 1949. Pas normales, në vitin shkollor 1949/50, hospitoi Shkollën e mesme të Fizkulturës në Zemun. Institutin Shtetëror të Fizkulturës – DIF-in, dhe Shkollën Federative të Trajnerëve – Degën e Futbollit i kreu në Beograd, ku dorëzoi edhe Disertacionin e Doktoratës në Fakultetin e Kulturës Fizike të Universitetit të Beogradit, pasi më parë kreu studimet pasuniversitare dhe u magjistra në Shkup.

Në vitin shkollor 1950/51, u emërua si mësues i Shkollës fillore dhe arsimtar i Fizkulturës në Progjimnazin e Rahovecit. Në Nëntor të vitit 1950, transferohet në Kijevë. Emërohet Drejtor dhe Arsimtar i parë i Progjimnazit në Kijevë – rrethi i Rahovecit (është themelues i Progjimnazit). Në vitin 1951 transferohet në Prizren. Prej atëherë punon pedagog në shkolla fillore, të mesme dhe kurse pedagogjike në Prizren dhe Prishtinë.  Pas Specializimit për futboll, në vitin 1963, punon si trajner i futbollit në KF “Bor” – Borski Radnik, anëtar i Ligës së Dytë Federative, Grupi Lindje, ku bënte gara edhe KF “Prishtina”. Nga muaji Tetor i vitit 1963, shkon në Rijekë – Kroaci. Punon si trajner futbolli në NK “Rijeka”, anëtare e Ligës së Parë Federative.

Në Rijekë punon edhe si profesor i Edukatës Fizike në shkollën fillore “Josip Brusiq”, “Podmurvice” si dhe në Shkollën e mesme të “Marinës” në Bakar. Ishte bashkëpunëtor i Akademisë së Edukatës Fizike në Rijekë, si mentor i orëve praktike të Edukatës Fizike. Në vitin 1964/65, Edukata Fizike përfshihet si lëndë obligative në Planprogramet mësimore për studentët, në të gjitha Fakultetet e Rijekës. Në këtë vit shkollor zgjedhet profesor i Edukatës Fizike në Fakultetin Ekonomik të Rijekës, në Rijekë. Gjatë sezoneve të garave të vitit 1963/64 dhe 1964/65, NK “Rijeka” zë vendin e katërt në tabelën e klasifikimit të Ligës së Parë Federative në Jugosllavi.

Në vitin 1965/66, për Kupën e Juniorëve të Ligës së Parë të Jugosllavisë, të rinjtë e NK “Rijeka” kualifikohen në finalen e Kupës Federative të futbollit. Puna profesionale dhe pedagogjike është organizuare nga trajneri superior i futbollit Stojan Osojnak ekonomist i diplomuar, dhe profesor Arsim Fehmiu kolegë i gjeneratës në Shkollën Federative të Trajnerëve të Futbollit në Beograd gjatë viteve 1961-1963. Profesor Arsim Fehmiu është themelues i Shkollës së Futbollit të NK “Rijeka” në Rijekë.

Në vitin 1966 kthehet në Kosovë dhe punoi si profesor në Shkollën e Mesme Teknike “28 Nëntori” në Prishtinë. Më vitin 1966, Kryetari i Lidhjes Futbollistike të Kosovës, Rexhai Surroi e emëroi Prof.Arsim Fehmiun selektor të Kosovës (1966-1970). Nga vitit 1967, punoi si profesor i shkollës së Lartë Pedagogjike në degën e Edukatës Fizike e Shëndetësore të UP në Prishtinë. Nga viti 1979, punon si profesor i Fakultetit të Kulturës Fizike të UP në Prishtinë deri në vitin 1992, kur edhe pensionohet.

Prof. Arsim Fehmiu punoi edhe si Pedagog-Trajner Specialist në klubet sportive, të shumtën të futbollit, e Selektor i reprezentacioneve të Juniorëve dhe Seniorëve në Istër, Kroaci dhe Kosovë. Ishte bashkëpunëtor shumëvjeçar i trajnerit dhe Selektorit me renome evropiane dhe botërore, Miljan Miljaniqit.

Profesor Arsim Fehmiu ishte trajner dhe selektor i Reprezentacionit Futbollistik të Universitetit të Prishtinës nga viti 1968 deri në vitin 1987. Ka udhëheq ekipin e  futbollit të Universitetit të Prishtinës në shumë Universiada të mbajtura në Prishtinë, Beograd, Pula, Sutomore, Nish dhe Novi Sad. me ekipin e Universitetit të Prishtinës ka arrit që në mesin e 6 universiteteve të Serbisë e 19 Universiteteve të zë nga vendi i parë deri në vendin e shtatë.

Prof. Arsim Fehmiu ishte bashkëpunëtor shkencor i Entit Federativ të Kulturës Fizike të Jugosllavisë në Beograd, Akademisë së Edukatës Fizike në Rijekë-Kroaci dhe Institucionet përkatëse të Kosovës në Prishtinë. Është marrë me kërkime shkencore të aftësive funksionale e psikofizike të nxënësve të shkollave fillore e të mesme në Kosovë e Kroaci. Ishte edhe anëtar i ekipit federativ për kërkime shkencore të aftësive funksionale dhe psikofizike të nxënësve të shkollave fillore e të mesme në Kosovë.

Pos punës si mësues, arsimtar dhe profesor i Kulturës Fizike dhe trajner i futbollit, në procesin mësimor e pedagogjik, është marrë edhe me hartimin e plan-programeve të Edukatës Fizike dhe të Treningut Sportiv. Është hartues i Projektit për botimin e teksteve mësimore nga lëmi i Kulturës Fizike për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës e më gjerë .  Si ekspert i lëmit të Kulturës Fizike është angazhuar dhe ka bashkëpunuar në fushën e kërkimeve shkencore me Entin e Kulturës Fizike të Kosovës, BVI të Kulturës Fizike të Kosovës, Institutin e Mjekësisë së Punës të Kosovës pranë KEK-ut në Obiliq, Institutin Albanologjik dhe Entin për Kërkime Ekonomike të Fakultetit Ekonomik të Prishtinës.

Si bashkëpunëtor i Entit për Kërkime Ekonomike, ishte udhëheqës i Projektit për Zhvillimin e Veprimtarive Shoqërore të Kosovës për Lëmin e Kulturës Fizike (Për infrastrukturën e Edukatës Fizike,  Sportit, kuadrit profesional dhe financimit të këtyre veprimtarive). Projekti ka përfshirë zhvillimin e Kulturës Fizike nga vitit 1975 deri në vitin 1980 dhe periudhën me projeksion të zhvillimit nga viti 1980 deri në vitin 2000.
Pas pensionimit më 1991, riaktivizohet më vitin 1992, si anëtar i Këshillit Profesional të Federatës së Sporteve të Kosovës , anëtar i KOK-ut (Komitetit Olimpik të Kosovës) dhe më 1994, emërohet Komisar i Federatës së Futbollit të Kosovës (1994-1998).

Nga viti 2006, emërohet Kryetar i Komisionit “Akademia Olimpike e Kosovës” pranë Komitetit Olimpik të Kosovës. Në cilësinë e Kryetarit të Komisionit “ACOK”, së bashku me Drejtorin e atëhershëm të Departamentit të Sportit të MKRS të Kosovës, prof. Bedri Cahani, dhe me pëlqimin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Valton Beqiri, formohet Këshilli Organizativ për organizimin e punës së Shoqatës së Pedagogëve të Kulturës Fizike dhe Sportit shkollor në Kosovë. Këshilli nën udhëheqjen e Profesorit Arsim Fehmiu, punon afro shtatë muaj për organizimin e Kuvendit. Kuvendi mbahet më 30 Mars të vitit 2009, në Prishtinë.

Pas mbajtjes së Kuvendit, zgjedhet udhëheqësia, Kryetari dhe anëtarët e Bordit të Shoqatës së Pedagogëve të Kulturës Fizike dhe Sportit Shkollor.

Më pastaj është dashtë të themelohet – formohet Federata e Sportit Shkollor .?!

Profesor Arsim Fehmiu, është marrë me shumë sporte. Nga sportet me të cilat është marr do t’i përmendim këto:
1. Basketbolli:  me ekipin e Shoqatës për Edukim Trupor “Partizani” të qytetit të Prizrenit, në garat Federative të mbajtura në Banjicë në Beograd, më vitin 1952, kanë zënë vendin e parë , janë shpallur kampion të Jugosllavisë dhe janë shpërblyer me Kurorë “Dafine”

2. Bjeshkataria: si student dhe anëtar i Shoqatës së Bjeshkatarëve të DIF-it – Instituti Shtetëror i Fizkulturës në Beograd, në vitin 1954, është ngjitur në majën më të lartë të Ballkanit, në Olimp – MITIKAS 2917 m/LMD  (Greqi). Është shpërblyer nga DIF-i, në Korrik 1954, Beograd.

3. Noti: Ka marr pjesë në shumë gara të notit. Por, do ta përmendim garën e zhvilluar si ushtar i gjinisë së Aviacionit . Ajo është organizuar dhe zhvilluar në Petrovec të Shkupit, më 1960. Gara është zhvilluar në shtegun 50 metra, me rrobe ushtarake e me pengesa. Vendin e parë e ka zënë një oficer kurse të dytin ushtari Arsim Fehmiu, duke u shpall nënkampion i gjinisë së Aviacionit të ish Jugosllavisë.

Për veprimtari si sportist, pedagog dhe punëtor sportiv është bartës i shumë shpërblimeve, pllaketave, mirënjohjeve dhe dekoratave. Tani së fundi më 2021-2022 ka themeluar Federaten e Pedagogve Veteranve të Kulturës Fizike dhe Sportit, e cile ende nuk është licencuar.

Urime Prof i nderuar Arsim Fehmiu, paq shëndet dhe gjitha të mirat së bashku me familjen tuaj!
Nga gjenerata e parë e Fakultetit të Kulturës Fizike”,

ka shkruar Haxhimusa.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu