Mbrojtësi anësor Achraf Hakimi u ka dërguar mesazh lamtumire tifozëve të Borussia Dortmundit pasi arriti në Itali për t’i kryer testet mjekësore dhe për ta kompletuar transferimin në Inter.
Achraf Hakimi arriti në Milano të Italisë të martën, përmes një fluturimi privat nga Madridi i Spanjës, për ta kompletuar transferimin e tij në San Siro.
Mbrojtësi i krahut të djathtë i Real Madridit do t’i bashkohet Interit për një shumë prej 40 milionë eurosh dhe pritet të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare me gjigantin italian, pasi t’i kryejë testet mjekësore.
21-vjeçari pritej të kthehej në Santiago Bernabeu muajin e ardhshëm pasi i kishte kaluar dy vjetët e fundit të karrierës së tij i huazuar në Dortmund. Megjithatë, ai tani ka vendosur të largohet nga klubi madrilen në mënyrë permanente.
Përderisa marokeni po i afrohet finalizimit të transferimit të tij në Inter, ai e ka shfrytëzuar llogarinë e tij në rrjete sociale për t’i falënderuar të gjithë në Dortmund për përvojën e tij të mrekullueshme në Gjermani.
“Ka ardhur koha ta mbyll një fazë shumë të bukur të jetës ime. Pas dy vjetëve të mrekullueshme, unë jam gati të largohet nga klubi që më ka dhuruar shumë kënaqësi. Nga momenti i parë, kujdesi dhe vëmendja nga klubi dhe qyteti ka qenë i mrekullueshëm. Tani e di se bëra mirë kur e zgjodha Dortmundin si shtëpinë time para dy vjetëve”, shkroi Hakimi.
“Dua t’i falënderoj të gjithë bashkëlojtarët, stafin e trajnerët dhe stafin e klubit për dashurinë dhe besimin që ma kanë shfaqur gjatë gjithë kësaj kohe. Unë dua t’i falënderoj tifozët e mrekullueshëm që na kanë mbështetur, pa kushte, në çdo ndeshje. Nuk do ta harroj kurrë Murin e Verdhë, që është thjesht i mrekullueshëm”.
“Së fundi, unë dua t’i falënderoj shokët dhe familjen që më kanë përkrahur gjatë gjithë kësaj kohe. Shpresoj që një ditë rrugët tona të na takojnë sërish. Shihemi së shpejti, Borussia Dortmund”.