Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ishte i kënaqur që e pa skuadrën e tij sërish të uritur për fitore në ndeshjen e Premierligës kundër Watfordit, të cilën e fituan me rezultat 4:0.
Disfata e së shtunës kundër Arsenalit në gjysmëfinalen e FA Cup ishte një goditje e madhe për shpresat e Cityt ta vazhdojë dominimin në kupat vendore në Angli, përderisa Guardiola e kishte shprehur pakënaqësinë e tij me paraqitjen e skuadrës.
Pas ndeshjes, Guardiola kishte thënë se mënyra se si skuadra e tij kishte humbur e lëndonte atë më shumë sesa vetë rezultati dhe e kishte vënë në dyshim apetitin e skuadrës së tij për betejë në fushën e lojës.
Megjithatë, ai u shpreh më i kënaqur me paraqitjen e Manchester Cityt kundër Watfordit, përderisa dy gola të Raheem Sterling dhe nga një të Phil Foden dhe Aymeric Laportas ia dhanë Cityt epërsinë në këtë ndeshje.
“Minimumin, këtë e bëmë sot. Ne mund të fitojmë dhe mund të humbasim. Në karrierën si futbollist, ti humb më shumë sesa që fiton, por kur të përfundojë ndeshja duhet të jesh në gjendje të thuash: “Bëra gjithçka për ta fituar atë ndeshje””, ka thënë Guardiola.
“Dhe kur kjo nuk ndodh, ne s’mund të jemi krenar me veten”.