Një 30-vjeçar shqiptar në bashkëpunim me një 46-vjeçar napolitan kanë grabitur një seli të postës Italiane në zonën e Casalecchio di Reno.
Karabinierët kanë bërë të mundur arrestimin e dy “skifterave” për grabitjen e rëndë. I riu shqiptar me banim në Firence, së bashku me napolitanin kryen grabitjen në rrugën Porrettana.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, më 3 gusht, rreth orës 08:40, pak pas hapjes së zyrave.
Dy grabitësit, me fytyrat e mbuluara nga kaskat dhe të armatosur me mjete prerëse, kanë hyrë në ambientet e kompanisë me qëllim zbrazjen e kasafortës. Ndërkohë që autorët nuk kanë mundur ta bëjnë këtë, ata janë larguar në këmbë vetëm me një shumë prej 1450 eurosh, të cilat ua kanë marrë arkëtarëve.
Të gjurmuar në afërsi nga policia italiane, dy personat u arrestuan dhe u dërguan në burg, me urdhër të Prokurorit Publik të Bolonjës.