Reperi Arian Agushi, i njohur si Gold AG, nuk beson që vrasjet mund të nxiten nga tekstet e muzikës.
I ftuar në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ku po diskutohet për korrelacionin mes muzikës rep dhe vrasjeve si dhe dhunës që po përdoret jo vetëm në anë të ndryshme të botës, por edhe në Kosovë, Arian Agushi është shprehur i prekur lidhur me rastin e vrasjes së 30-vjeçarit në Ferizaj.
“Në Kosovë vrasje për shkak të repit nuk ka pasur, por vetëm rrahje.Nuk do të kisha besuar se në Kosovë mund të ndodhin vrasje për shkak të muzikës. Ne nuk mund të shkojmë deri në atë masë sa të vritemi për shkak të një fjalë të një kënge”, ka deklaruar reperi.
Ndonëse ka pasur përplasje të shumta nga reperët e vendit, për Gold AG nuk duhet të bie muzika, e cila sipas tij, është një lloj arti “që nuk bën të shkojmë deri në atë pikë që të vritet dikush për shkak të një fjale të një kënge”.
“Sa i përket këngëve jo vetëm reperat, por edhe këngëtarët e zhanreve të tjera si RNB ose popullore, kanë telashe edhe më të mëdha se ne, por nuk mund t’i shprehin në këngë, shumica e reperave këndojnë atë që e jetojnë, disa e fantazojnë atë jetën e vet, por është e drejtë e secilit edhe të fantazojë edhe të gënjejë”, shtoi ai.
Teksa ka shpresuar se ky rast të jetë i fundit, Gold AG ka potencuar se nuk e ka njohur as dorasin dhe as viktimën.
“Nuk i kam njohur personalisht asnjërin, jam prekur me rastin shumë. Ajo që më prek më së shumti është se kanë qenë miq dhe që nuk ka mundur së paku miku i tretë të arrijë marrëveshje që t’i pajtojë. Kam shoqëri në Ferizaj, plot e kanë lëvduar edhe të vrarin, por edhe dorasin”, përfundoi ai.
Ndryshe, Qëndrim Januzit, i dyshuar për vrasjen e 30 vjeçarit në Ferizaj, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore në Ferizaj.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, ka thënë se Januzi po e mban paraburgimin në spital, ku edhe po merr trajtim mjekësor.
“Atij i është caktuar masa e paraburgimit 30 ditë, për momentin është në spital, masën e mban në spital dhe ruhet nga policia, në momentin kur shërohet plotësisht transferohet në Qendrën e Paraburgimit”, ka thënë Jashari.
Ndërkaq, qyteti i Ferizajt ishte tronditur në orët e para të së shtunës së 28 majit.
Nga përplasjet verbale, mospajtimet ndërmjet dy personave eskaluan deri në përdorim të armës së zjarrit.
E gjithë ngjarja përfundoi me fatalitet.