Dorian Kërçiku me shumë mundësi do të rivishet bardheblu. Edhe pse në janar firmosi me Partizanin, prej ditësh ai nuk po stërvitet me të kuqtë, çka do të thotë se ka mbyllur de fakto marrëdhënien me Partizanin. Lojtari lë të kuqtë, por me shumë mundësi ai do të kalojë te Tirana.
Bardheblutë djathtas kanë mungesa dhe Kërçiku, një nga ata që e njeh mirë ambientin bardheblu, është një zgjedhje ideale. Shanset janë që Kërçiku të jetë një nga afrimet e verës të Tiranës së Champions-it.
Tirana me largimin e Dokës gjendet pa mbrojtës të djathtë. Derisa të marrë një tjetër lojtar, do të bazohet te Kërçiku.
Ky i fundit është rritur në klubin e Tiranës, teksa pas ekipeve të moshave, ka luajtur plot 139 ndeshje me skuadrën e parë të bardhebluve, ndërsa regjistron edhe një eksperiencë te Skënderbeu në sezonet 2011-2013, kur edhe u shpall kampion me korçarët. Kërçiku është një lojtar me mjaft eksperiencë, që e njeh mirë kampionatin shqiptar dhe për më tepër, përshtatet në disa role në fushën e lojës.
Dorian Kërçiku është aktivizuar 2 ndeshje gjithsej me fanellën e Partizanin. Në total ka qenë në fushë 114 minuta mes kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë. Kërçiku që më parë ka luajtur me Tiranën dhe Skënderbeun, mendohet të jetë një nga afrimet e para të bardhebluve, ndërkohë që te 24 herë kampionët përflitet se do të afrohen Bekaj, Thaqi, Sota e Harizaj.