Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë një ndeshje historike në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve, kundër Maqedonisë Veriore, e vlefshme për kualifikim në “Euro 2020”.
Megjithatë, për shkak të pandemisë Covid-19, ndeshja u shtye dhe pritet të zhvillohet pas disa muajsh.
Mbrojtësi i ‘Dardanëve’, Fidan Aliti ka thënë se gjithë shqiptarët e kanë pritur këtë ndeshje, teksa ai ka folur edhe për jetën në karantinë, derisa tregon se momentalisht ndodhet në Suedi.
“Duhet ta pranojmë situatën si është. Të gjithë kemi qenë të fokusuar nga janari për këtë ndeshje. Gjithë shqiptarët e kanë pritur këtë ndeshje”, u shpreh fillimisht Aliti në RTK.
“Për momentin jam në Suedi. Kampionati këtu nuk ka filluar akoma, kemi stërvitur vazhdimisht dhe kampionati fillon javën tjetër. Do të ishte më mirë të isha pranë familjes, jam njeri familjar dhe më mungon familja”, tregon më tej mbrojtësi i Kalmarit.
“Gjithmonë në ‘Fadil Vokrri’ është një atmosferë fantastike dhe më mungojnë ato emocione. Këto gjëra e bëjnë një futbollist krenar”, shtoi ai.