Shqiptarët janë më pesimistë se kurrë për situatën e tyre të pritshme familjare gjatë 12 muajve në vijim, madje pritshmëritë janë më negative edhe se në prill 2020, kur vendi po vuante pasojat e karantinës, si rrjedhojë e masave për kufizimin e pasojave të pandemisë së Covid-19.
Shtrenjtimi i ndjeshëm i çmimeve në një kohë që të ardhurat e tyre nuk po rriten po bën që gjithnjë e më shumë familjarë të parashikojnë vështirësi me financat e tyre në të ardhmen.
Në anketën e besimit konsumator për muajin mars 2022, të publikuar nga Banka e Shqipërisë, balanaca e përgjigjeve ishte negative prej -12.99, niveli më negativ i regjistruar ndonjëherë, që nga maji i vitit 2016, kur Banka e Shqipërisë publikon gjetjet e sondazhit.
Ky nivel është madje më negativ se maji 2020, (prej -8.2), kur familjet po ndienin pasojat që dha në ekonomi Covid-
19 (shiko grafikun Situata financiare e familjes gjatë dymbëdhjetë muajve të ardhshëm).
Të anketuarve u bëhet pyetja e mëposhtme:
Si prisni të ndryshojë situata financiare në familjen tuaj gjatë 12 muajve të ardhshëm?
1. Do të përmirësohet shumë
2. Do të përmirësohet
3. Nuk do të ndryshojë
4. Do të keqësohet
5. Do të keqësohet shumë
9. Nuk e di
Balanca negative do të thotë që rreth 13% më shumë të anketuar presin që situata financiare në familjen e tyre të përkeqësohet, sesa ata qw presin të përmirësohet.
Të dhënat e anketimit tregojnë se deri në mars 2020, pritshmëritë e familjeve për të ardhmen e tyre përgjithësisht ishin pozitive.
Pas pandemisë, balanca e përgjigjeve u bë negative për herë të parë, duke kulmuar në maj 2020. Me hapjen e ekonomisë, treguesi kaloi gradualisht në pozitiv, duke arritur nivelin më të lartë në shtator 2021.
Por, me rritjen e çmimeve, gjithnjë e më shumë familjarë filluan të ishin pesimistë, ndërsa përkeqësimi ishte shumë i ndjeshëm në mars, që përkon me shtrenjtimin e ndjeshëm të pothuajse çdo produkti.
Jo vetëm pritshmëritë janë negative. Konsumatorët rezultojnë që kanë parë përkeqësim të situatës familjare edhe gjatë muajve të fundit. Balanca e përgjigjeve në mars 2022 për pyetjen “Si ka ndryshuar situata financiare e familjes suaj gjatë 12 muajve të fundit?” është sërish negative (-16.08), ndër më të ulëtat historike.
Që nga tetori 2021, gjithnjë e më shumë familje deklarojnë se situata financiare është përkeqësuar në raport me ata që mendojnë se situata është përmirësuar.
Në fakt, nga marsi 2020, kur nisi pandemia, familjarët që mendojnë se situata e tyre në 12 muajt e fundit është përkeqësuar mbizotërojnë ndaj atyre që vlerësojnë të kundërtën (shiko grafikun: Situata financiare e familjes gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit).
Përkeqësimi i vlerësimeve dhe pritshmërive të familjarëve për situatën e tyre financiare duket i
lidhur ndjeshëm me rritjen e çmimeve. Që nga muaji tetor, konsumatorët po e ndjejnë barrën e
shtuar në buxhetet e tyre nga rritja e çmimeve.
Indeksi i besimit konsumator, që matet nga Banka e Shqipërisë, u drejtor individëve ndër të tjera edhe pyetjen: “Si mendoni se kanë ndryshuar çmimet gjatë 12 muajve të fundit?”: janë rritur shumë, janë rritur në mënyrë të moderuar, janë rritur pak, pothuajse të pandryshuara, janë ulur?.
Duke filluar që nga tetori, balanca e përgjigjeve tregon se konsumatorët gjithnjë e më shumë po e ndjejnë dukshëm rritjen e çmimeve katër muajt e fundit (shiko grafikun: Çmimet gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit, maj 2016-mars 2022).
Balanca e përgjigjeve në mars ishte 37.5 (e rregulluar sezonalisht), që do të thotë që 37.5% më shumë konsumatorë mendojnë që çmimet janë rritur se ata që mendojnë se janë ulur.
Treguesi është rritur ndjeshëm, në raport me shtatorin kush ishte vetëm 0.57 dhe është më i larti që nga maji 2016, kur Banka e Shqipërisë ka filluar të raportojë të dhënat.
Grafiku