Kupa ka mbërritur në Tiranë, emocioni i shqiptarëve rritet, federata vendase gëzohet. Për presidentin Armand Duka, caktimi i një finaleje të UEFA-s në Tiranë është një rezultat i shkëlqyer përsa i përket imazhit. Djali i një ish-futbollisti, Duka e bëri rrugën fillimisht si sipërmarrës (kompania e tij është prodhuesi kryesor i shpendëve në vend) dhe më pas si drejtues sportiv, duke arritur në presidencën federale që në vitin 2002.
Por më e rëndësishmja, në vitin 2019, ai u emërua anëtar i Ekzekutivit të UEFA-s, duke rritur sferën e tij të ndikimit politik. Nën drejtimin e tij, futbolli shqiptar ka arritur një kualifikim historik për Kampionatin Evropian 2016 dhe është pajisur me stadiumin e famshëm, “Arena Kombetare”, që do të presë Roma-Feyenoord.
Ky stadium ka kushtuar 100 milionë euro, 10 prej të cilave janë financuar nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe pjesa tjetër nga investimet private. Por kjo nuk është e gjitha. Në një intervistë telefonike për “Corriere dello Sport”, Duka thotë me krenari: “Po ndërtojmë qendrën e re teknike ku do të mblidhet kombëtarja, ndaj do të kalojmë patjetër në Tiranë nga Durrësi”.
President, si është ajri në kryeqytetin tuaj për finalen?
Ne jemi të ngarkuar këto ditë. Kjo finale për ne ka nisur tashmë një vit më parë, me inspektimet e ekspertëve. Të jesh në gjendje të presësh një event të këtij niveli do të thotë shumë për të gjithë Shqipërinë.
Si e bindët UEFA-n që t’jua jepte finalen?
Ne kishim tentuar tashmë të merrnim një Superkupë Evropiane. Në përpjekjen e dytë ia dolëm.
Megjithatë, stadiumi është i vogël. Ka pasur shumë protesta nga tifozët.
Është e vërtetë, është i vogël, por një perlë e vërtetë. Edhe drejtuesit e Romës, kur erdhën për ta vizituar, u befasuan nga ambientet tona. Fatkeqësisht nuk do të ketë vend për të gjithë.
Problemi tjetër është rritja e çmimeve të hoteleve dhe apartamenteve, me anulime strategjike për të fituar para.
Për mua ky biznes i anulimeve më duket si një legjendë urbane. Për çmimet, megjithatë, e kuptoj: nëse shkon në Paris për finalen e Champions League ose në Milano për panair, e njëjta gjë ndodh.
UEFA ka shpërndarë shumicën e biletave për shqiptarët.
Është një avantazh për Romën, sepse shumë kanë blerë bileta për miqtë e tyre italianë.
Pra, tifozët shqiptarë do të mbështesin Romën.
Sigurisht, që nga fillimi i finales. Shpresoj që të fitojë, edhe nëse finalet nuk janë kurrë të parashikueshme. Vetëm shikoni Eintracht-Rangers, por Mourinho ka lojtarin më të fortë.
Cilin?
Kumbulla, sigurisht (qesh). Shpresoj se ai mund të luajë, është një shtyllë e kombëtares sonë.
Duke folur për futbollin shqiptar, pse prej dhjetë vitesh keni zgjedhur vetëm trajnerë italianë të kombëtares?
Sepse janë të disiplinuar, të përgatitur taktikisht dhe e njohin mirë mentalitetin tonë. Pastaj nuk kemi asnjë problem gjuhësor me ta.
Kështu që do të vazhdoni me Reja.
Sigurisht. Ai ka besimin tonë. Sa keq që nuk dolëm në ‘play-off’ të Kupës së Botës! Paguam humbjen kundër Polonisë.
Në Itali ka shumë futbollistë shqiptarë.
Kjo nuk më habit. Në vendin tuaj janë 130 mijë shqiptarë që luajnë futboll, një shifër e ngjashme me ata që e bëjnë këtu.
A ka ndonjë talent shqiptar që prisni të shpërthejë?
Armando Broja, lindur më 2001, sulmues i Chelsea. Ai tashmë ka bërë gjëra të shkëlqyera me Southampton, në formë huazimi, dhe tashmë shënon gola për ekipin kombëtar.