Mbrojtësi anglez Chris Smalling rilindi te Roma, ku u transferua verën e kaluar në formë huazimi nga Manchester United dhe do të dëshironte të vijonte aventurën në kryeqytetin italian, por problem tashmë mbetet klubi anglez.
Kjo pasi drejtuesit e “Djajve të kuq” nuk kanë ndërmend të ulin pretendimet e tyre prej 25 milionë eurosh për kartonin e qendërmbrojtësit, shifër kjo që klubi Italian nuk mund ta përballojë, sidomos tani pas krizës së shkaktuar nga pandemia Covid-19.
Drejtuesit e verdhekuqve kanë ofruar 15 milionë euro për kartonin e mbrojtësit dhe nuk kanë ndërmend të shtojnë asgjë më shumë, ndërsa një rol të rëndësishëm mund të luajë vetë dëshira e Smalling, që preferon vijimin e aventurës në Serinë A.
“E di që dëshiron të qëndrojë dhe ne do të ishim të lumtur at blinim, pro të shohim si do shkojnë negociatat. Chris është një njeri i jashtëzakonshëm dhe profesionist i mirë, por tani gjithçka është në dorë të drejtuesve të klubeve, për të gjetur një marrëveshje”, deklaroi trajneri verdhekuq Paulo Fonseca.