Dhuna ndaj të moshuarës në Pejë/ Flet sociologu: Fëmijët i largojnë prindërit nga familja për t’i hequr qafe

0
Gjigandi

Nga Klea Balliu

Dy ditë më parë, bëri bujë një video ku shihej një infermiere teksa dhunonte një të moshuar në një azil në Pejë. Lidhur me këtë ngjarje, që tronditi opinionin publik Priza.al pyeti sociologun e njohur Gëzim Tusha, ku ky i fundit e cilëson rastin si më të rëndin që ka parë dhe se ajo sjellje ishte një veprim i hapur bullizues.

“Në të gjithë historinë e punës sime që jam marrë me problemet sociale nuk kam parë një skenë të tillë, kaq makabre, kaq të vështirë për t’u vëzhguar dhe po aq të vështirë për t’u interpretuar në mënyrë sociale. Ishte një sjellje e papërfytyrueshme e një punonjëse të institucionit e cila realizoi një sjellje jo vetëm jashtë etikës së profesionit por dhe jashtë çdo kornize kulturore, qytetare, civile dhe humane.

Probleme të tilla, qoftë edhe me njerëz që janë të moshuar apo që kanë probleme të veçanta të shëndetit mendor apo fizik nuk zgjidhen me dhunë por ka profesionistë që përveç informimit të përgjithshëm mjekësor dhe psikologji, kanë edhe aftësi specifike për të gjetur mënyrat e duhura për të neutralizuar në rastet kur pacienti shfaq agresivitet. Por, mua më duket se ajo që u evidentua nuk kishte të bënte me nevojën për të “disiplinuar” sjelljen e të moshuarës por përkundrazi ishte një veprim i hapur bullist, agresiv mbi të”,- shprehet Tusha.

Sociologu deklaron se fëmijët i largojnë të moshurit nga familja për t’i hequr qafe dhe për t’iu larguar përgjegjësive. Gjithashtu ai tregon se ‘Shtëpitë e të moshuarve’ nuk janë qendra për të plotësuar tekat e fëmijëve të tyre, të cilët gjejnë rrugën më të lehtë dhe i çojnë prindërit në azile.

RonaTyra

“Shtëpitë e të moshuarve janë institucione të përkujdesit social për të moshuarit që kanë nevoja të veçanta. Djemtë, vajzat, mbesat, nuset etj, i largojnë të moshurit nga familja për t’i hequr qafe dhe kjo për arsye se mendojnë se mund të ndërtojnë një familje bërthamore vetëm burri, gruaja dhe fëmijët. Unë mendoj që në mënyrë kategorike duhet të pranohen vetëm të moshuar si përshembull: që nuk janë të martuar, janë të vetmuar, që kanë humbur bashkëshorten/in, nuk kanë fëmijë apo që kanë arsye të tjera që mund të justifikohen.

Shtëpitë e të moshuarve nuk janë qendra për të plotësuar tekat e fëmijëve të tyre, të cilët për të shpëtuar nga përgjegjësitë, gjejnë rrugën më të lehtë dhe i çojnë në këto shtëpi. Unë mendoj që ne kemi nevojë të kuptojmë që të moshuarit nuk kanë nevojë për ushqim dhe fjetje, por kanë nevojë për lidhjen biologjike me familjen. Sado standarde të larta të kenë, sado cilësi të ushqimeve dhe të përkujdesit që të kenë, sado qendra ekselente të jenë, ato janë “të ftohta” sepse janë institucione sociale dhe nuk janë si familja. Ato marrin në mbrojtje vetëm të moshuar që kanë nevoja të veçanta”,- rrëfen Gëzim Tusha.

Pas publikimit të video skandalit, familjarët larguan të moshuarën nga shtëpia ku ndodhi sulmi fizik. Vajza e saj është shprehur e tmerruar dhe në një gjendje jo të mirë emocionale, për atë që ndodhi. Por, çfarë thotë sociologu për këtë?

“Mua më ka ardhur mirë që familjarët e të moshuarës janë treguar shumë të kujdesshëm, kanë reaguar si qytetarë dhe njerëz që kanë lidhje gjaku me viktimën. Unë nuk gjykoj faktin pse e çuan në atë institucion, nuk e di sesa mundet të trajtojë ky institucion shërbime socio-sanitare duke u nisur nga fakti që e moshuara ishte me një diagnozë të veçantë si ‘Alzheimeri’. Në përgjithësi, në këto institucione nuk trajtohen njerëz që kanë sëmundje të tilla. Këto probleme zgjidhen në spitale, nuk zgjidhen në ‘Shtëpitë e të Moshuarve’. Më vjen mirë që familjarët kanë shfaqur besimin tek institucionet përgjegjëse për të dënuar këtë akt të shëmtuar”,-shprehet sociologu.

Video-ja doli për shkak se dikush e filmoi në ato momente por dhuna ka qenë edhe më herët prezente (sipas deklaratave të familjarëve. Por çfarë duhet të bëjnë institucionet në këtë rast, sipas sociologut Gëzim Tusha? Ai tha se ky rast është një alarm që inspektoriati në Shqipëri por edhe në Kosovë duhet të ndryshojnë ‘dinamikën’ e kontrolleve për të parë këtë situatë.

“Ky rast është një alarm që ‘Inspektoriati Shtetëror i Standardeve të Shërbimit Social’ në Shqipëri por edhe në Kosovë, që është një institucion i veçantë gjeneralist për të kontrolluar standardet që nga ato që kanë të bëjnë me: fjetjen, akomodimin, ushqimin, argëtimin etj, duhet të ndryshojnë ‘dinamikën’ e kontrolleve për të parë këtë situatë. Mendoj që është e domosdoshme një rishikim i strukturës profesionale, i formimit të punonjësve që kemi në këto institucione. Jo thjesht duke parë diplomat që kanë por duke parë edhe formimin e tyre shpirtëror, personalitetin, aftësitë për të qenë empatik.

Të punosh në institucionet e shëndetit social nuk është punë e lehtë. Ato janë institucione të veçanta për shkak të specifikës së klientëve që kemi në to: të moshuar me probleme mendore, të moshuar të cilët kanë humbur shumë aftësi fizike dhe kërkojnë një përkujdes social të veçantë dhe përzgjedhja e punonjësve në këto institucione është shumë e rëndësishme”,- u shpreh Tusha.

I pyetur nëse mendon se kjo situatë e ndodhur në Kosovë mund të ketë shtrirje të rasteve në Shqipëri që nuk janë denoncuar ende, sociologu tregon se jo gjithmonë ajo që ushtrohet në këto institucione është e dukshme. Gjithashtu ai thekson se këto institucione nuk i marrin seriozisht denoncimet në lidhje me ngjarje të tilla.

“Edhe në Shqipëri ka pasur raste të shkeljes së etikës dhe të abuzimit me detyrën duke ushtruar dhunë, qoftë mbi të miturit dhe të moshuarit apo dhe mbi gratë e tjera. Gjithsesi, jo gjithmonë ajo që ushtrohet në këto institucione duket. Kjo sepse institucionet në përgjithësi janë të mbyllura dhe denoncimi në këto institucione është një zë i vakët, i cili ‘mbytet’ shumë shpejt dhe kjo ka bërë që të jemi më pak të depërtueshëm lidhur me ngjarje të tilla”,- tregon sociologu.

Duke folur për vështirësitë e evidentimit të këtyre rasteve dhe vënies para përgjegjësisë të këtyre personave, sociologu thekson rëndësinë e kontrolleve të befasishme nga inspektoriatet e kontrollit të Standarteve të Shërbimeve Sociale. Gjithashtu, sipas tij një tjetër mënyrë për të evidentuar këto raste është takimi nga afër me këta persona për t’u marrë mendim por jo nën presionin e drejtuesve.

“Ka mënyra për të evidentuar situatën në institucionet tona. Nëpër institucionet në Shqipëri është një kuti ankimimi në të cilën klientët kanë të drejtë të shfaqin ankesat dhe kërkesat e tyre, të cilat duhet të kontrollohen. Njëkohësisht inspektoriatet duhet të shikojnë sa funksionojnë këto kuti dhe pse njerëzit kanë frikë të shprehin mendimet e tyre hapur lidhur me mënyrën si sillen punonjësit në këto institucione.

Ai vijoi duke thënë se: “Përveç kontrolleve të planifikuara, që bëhen 2 herë në vit nga inspektoriatet e kontrollit të Standarteve të Shërbimeve Sociale, do të ishte e domosdoshme të bëheshin kontrolle të befasishme, takime me klientët për t’u marrë mendimin jo nën presionin e drejtuesve të institucionit dhe të punonjësve të tyre. Një ndikim të madh kanë dhe organet e tjera si mediat, qytetarët, komuniteti, të cilët kanë mundësi të evidentojnë këto raste dhe të sinjalizojnë organet përkatëse”.

Gëzim Tusha përfundon intervistën e tij me një mesazh për të gjithë fëmijët që i lënë prindërit e tyre në ‘Shtëpinë e të Moshuarve’ dhe bën thirrje që duhet të kujdesemi për prindërit tanë ashtu si ata janë kujdesur për ne që nga lindja.

“Fëmijët nuk duhet të bëhen plan prishës. Ka një ligj universal të jetës natyrore të pandryshueshëm që ashtu si ata të moshuar janë kujdesur dhe na rritën ne, ashtu edhe ne duhet t’ua u rikthejmë kujdesin në pjesën e tyre të fundit të jetës, ku çdo njeri duhet të largohet me dinjitet nga kjo jetë dhe jo në atë mënyrë mizor”./ Abc24.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu