Në kuadrin e hetimeve që po zhvillohen në Kongres për shkarkimin e Presidentit Donald Trump, dëshmoi dje edhe Philip Reeker, Ndihmës Sekretar Shteti në detyrë për Evropën dhe Euroazinë. Shkaktoi ndërkohë polemika një koment i ish-shefit të personelit të Shtëpisë së Bardhë, gjenerali John Kelly, i cili u shpreh se e pati këshilluar Presidentin Trump të mos zgjidhte njerëz që i thonë vetëm “po”, pasi kështu do të rrezikonte të hetohej dhe shkarkohej nga Kongresi.
Gjenerali në pension i marinsave që shërbeu si shef personeli i Shtëpisë së Bardhë për një vit e gjysëm, John Kelly, tha gjatë një konference në Sea Island se gjatë ditëve të tij të fundit në detyrë i pati ofruar Presidentit Trump një këshillë.
“Ndërsa ishim ende në proces të gjetjes së dikujt që do të zinte vendin tim, i thashë që çfarë do që të bësh, mos merr në punë një njeri që të thotë vetëm ‘po’, dikë që nuk do të thotë të vërtetën. Po e bëre këtë gjë, mendoj se do të akuzohesh për t’u shkarkuar”, i tha audiencës zoti Kelly.
Presidenti Trump qarkulloi menjëherë një deklaratë ku mohon që zoti Kelly t’i ketë thënë një gjë të tillë.
Ndërkaq hetuesit në Kongres vazhduan të dëgjojnë me dyer të mbyllura dëshmitë e zyrtarëve të lartë të Departamentit të Shtetit. Sipas ABC News, Ndihmës Sekretari i Shtetit në detyrë për Evropën dhe Euroazinë, Philip Reeker, iu përgjigj thirrjes për paraqitje në Kongres megjithë urdhërin e Departamentit të Shtetit për të mos bashkëpunuar me hetimet. Sipas ABC News ai u shpreh se së bashku me kolegë të tjerë ishte përpjekur të mbronte ambasadoren amerikane në Ukrainë kur ajo u bë objektiv i një sulmi të koordinuar, por ishin anashkaluar nga zyrtarët më të lartë të Departamentit të Shtetit.
“E kam njohur prej vitesh. Mendoj se po tregohet i sinqertë dhe rrëfen ato çfarë ka parë”, u tha gazetarëve Ligjvënësi demokrat Elliot Engel, Kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
Dëshmia e zotit Reeker duket se implikon nivelet më të larta të Departamentit të Shtetit në një proces të përshkruar nga dëshmitarët si një politikë e jashtme në hije që i shërben interesave politike të Presidentit.
Megjithatë, sipas agjensisë Reuters, zoti Reeker do t’u thoshte ligjvënësve se ai nuk kishte dijeni nëse asistenca amerikane për sigurinë në Ukrainë u pezullua për t’i bërë presion Kievit të fillonte hetime që do të ndihmonin rizgjedhjen e Presidentit Trump në 2020-tën. Ligjvënësit republikanët thonë se zoti Reeker nuk ofroi ndonjë evidencë të re që mund fajësonte Presidentin.
“Është në fakt e kundërta. Dëshmia ishte në terma të gjera. Ishte një ditë e mirë për Presidentin; një ditë e mirë për popullin amerikan”, tha Ligjvënësi republikan Mark Meadows.
“Mendoj se kjo dëshmi është e besueshme. Vetëm se nuk ka ndonjë zbulim tronditës. Asgjë e re. Të njëjtat”, tha Ligjvënësi republikan Scott Perry.
Por, kritikët e Presidentit thonë se evidenca ka filluar të grumbullohet.
“Për një kohë të gjatë thoja se derisa të qartësohen gjërat, nuk ia vlen ta shkarkojmë pasi do të përçahet vendi. Dhe gjithnjë kam thënë se kur të mbledhim më shumë fakte, atëherë do të jemi gati. Dhe ne jemi gati”, i tha një konference në shtetin Iowa, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi./VOA