Boksieri britanik Anthony Joshua nuk ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, pas dëmtimit të pësuar pak ditë më parë. Menaxheri dhe promotori i tij Eddie Hearn u shpreh se skaneri që ka kryer tregon se dëmtimi nuk është i rëndë, ndaj karriera e kampionit të botës do të vijojë normalisht.
Hearn tha më tej se ky dëmtim nuk do të prishë planet e Joshua për të mbrojtur titujt kampionë botë të peshës së rëndë fillimisht ndaj bullgarit Kubrat Pulev e më pas të duelojë ndaj Tyson Fury.
“Kur dëmtohesh në këmbë asnjëherë nuk është një gjë e mirë, por ky dëmtim është i lehtë dhe nuk do të ndikojë në planet që Joshua ka bërë për 2020-ën. Nuk do të ketë ndikim as në karrierën e tij”, tha Hearn.
“Do të mbajë një mbrojtëse për 3-4 javë thjesht për të qenë të sigurt dhe për të vijuar stërvitjen i mbrojtur. Thjesht ka ndrydhur gjurin, ndaj s’ka nevojë prë operacion. Gjatë kësaj periudhe nuk duhet të vrapojë”, tha Eddie Hearn.